Sfidat dhe vështirësitë zgjedhin njerëzit më të fortë për tu treguar se njeriu arrin të shkëlqejë mbi çdo gjë.
Diego Selka ka lindur me probleme në shikim, por kjo nuk e ka penguar asnjëherë të ndjekë pasionin e tij për këngën, të shkollohet dhe të synojë të arrijë lart me talentin që bart.
“Kam kënduar që fëmijë, që 6 vjeç. Por që nga viti 2016 nga koha e liceut këndoj në mënyrë të mirëfilltë. Unë vazhdoj universitetin e Arteve për kanto, jam në master në vitin e fundit. Fillimisht talentin tim e zbuloi familja, pastaj në shkollë bëheshin prova në çdo degë arti dhe spikata. Nga klasa e parë në të 9 kam studiuar piano”, tha Diego.
Jeta e tij është muzika, skena dhe drita që shkëlqen mes notave duke e ndihmuar të ecë gjithnjë përpara për të arritur suksesin, pa marrë parasysh asnjë pengesë cilado qoftë ajo.
“Mendoj që të gjithë ne kemi vështirësi, nuk ka rëndësi të çfarë lloji, sepse sigurisht një gjë e bukur është dhe e vështirë, por me dëshirë tejkalohet çdo gjë. Mbështetja ime e madhe ka qenë familja, profesorët dhe të gjithë njerëzit që më rrethojnë që kanë kontribuar që unë të arrij këtu ku jam sot”, u shpreh ai.
Me ndihmën e pakursyer të familjes Diego bën planet për të ardhmen ndërsa përcjell një mesazh shprese dhe kuraje për këdo që dorëzohet përballë pengesave.
“Dëshiroj që rruga ime e karrierës të jetë arti. Dua të këndoj, sepse për këtë po studio të këndoj në opera në koncerte, në skena. Mendoj dhe dëshiroj të jem në skenë. Një mesazh për të gjithë: Shikojeni gotën gjysmë plot, jo gjysmë bosh. Nëse unë do të merresha me vështirësitë, me problemet, me kufizimet sdo të isha fare asgjëkundi. Por nuk i kam marrë parasysh sepse s’duhen marrë parasysh, thjesht ndiq atë që do”, tha ai.
Top Channel