Kreu transplant të zemrës të rritur brenda një derri, vdes 58-vjeçari! Trupi i refuzoi organin

01/11/2023 12:50

Një burrë, i cili ishte personi i dytë në botë që mori transplantin e zemrës të rritur brenda një derri, ka vdekur 40 ditë pas procedurës.

Lawrence Faucette, 58 vjeç, dukej se ishte i shëndetshëm muajin e parë, por më pas trupi i tij shfaqi shenja refuzimi ditët e fundit dhe vdiq të hënën, sipas mjekëve në Maryland.

Faucette ra dakord për operacionin eksperimental dhe mori një zemër derri të modifikuar gjenetikisht më 20 shtator.

Gruaja e tij, Ann ka treguar se bashkëshorti i tij nuk e kishte imagjinuar të jetonte aq shumë. Ai e dinte që jetës së tij i kishte ardhur fundi, prandaj provoi këtë shans.

Një kirurg që udhëhoqi transplantin në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland tha të martën se “dëshira e fundit e zotit Faucette ishte që ne të përfitonim sa më shumë nga përvoja jonë në këtë ndërhyrje”.

Mjekët e Maryland kryen transplantin e parë në botë të një zemre të rritur brenda një derri vitin e kaluar. Bennett jetoi për dy muaj para dështimit të zemrës. Në zemër u gjetën shenja të virusit të derrit, por arsyeja e vdekjes së tij nuk është përcaktuar plotësisht.

Vdekja e Faucette ishte një goditje për shkencëtarët që shpresonin se mund të ndihmonin në shpëtimin e jetëve mes mungesës së dhurimeve të organeve njerëzore.

“Xenotransplantet”, emri për transplantet e organeve nga kafsha te njeriu, kanë qenë të pasuksesshme për dekada pasi sistemi imunitar i njeriut shkatërron indet e huaja. Shkencëtarët shpresonin se modifikimi gjenetik i pjesëve të derrit për t’i bërë ato më shumë si organe njerëzore, do të funksiononte.

Faucette, ishte baba i dy fëmijëve dhe veteran i Marinës. Në mes të tetorit, spitali publikoi pamjet e Faucette duke bërë terapi fizike në përpjekje për të ecur përsëri.

Faucette nuk ishte në gjendje të merrte një transplant zemre njeriu sepse kishte probleme të tjera mjekësore.

Top Channel