Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është në pritje të kryebashkiakut të Kamzës Rakip Sulit, të cilit i është dërguar ‘ftesa’ për të dytën herë.
Gazetarja Anila Hoxha raportoi se kryebashkiakut Rakip Suli i është përcjellë kërkesa për në orën 12:00 për ditën e sotme dy ditë më parë, dhe sërish kjo ftesë është përcjellë sot përmes policisë lokale të komisariatit të Kamzës. Ai duhet të paraqitet më 6 nëntor. Në këtë mënyrë është shmangur njoftimi përmes postës duke qenë se kjo mund të sillte vonesa të mundshme.
Në rast të mos paraqitjes së Sulit dhe kryetarit të këshillit bashkiak të Kamzës, SPAK do të urdhërojë shoqërimin e tyre nga policia e Kamzës.
Hetimet po zhvillohen në raport me dy denoncime. Njëra prej tyre nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Kamzës në adresë të kryebashkiakut Rakip Suli. Për këtë çështje në orën 10:00 ishte thirrur edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, z.Peposhi i cili ka refuzuar të paraqitet, ndonëse SPAK i ka dërguar ftesën si person që ka dijeni, por edhe si person i kallëzuar përmes policisë lokale.
Rakip Suli do të pyetet për të dhënë versionin e tij mbi hetimet që po kryen për dëmshpërblimet e tërmetit. SPAK po kryen hetime ndaj kryebashkiakut dhe zyrtarëve të bashkisë, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Top Channel