Katër anëtarë të një grupi kriminal, dy prej tyre shqiptarë janë dënuar sot nga një gjykatë britanike, pasi akuzohen për trafik kokaine.

Ata u arrestuan në prill të vitit 2022, pasi tentuan të trafikonin 139 kilogramë kokainë në Mbretërinë e Bashkuar të fshehur në një kontejner me banane.

Sipas medias së huaj, Robert Ball dhe Mirgent Shahu u dënuan me nga 18 vite burgim, kurse Florjan Ibra u dënua me 13.5 vite burg dhe Arman Kaviani me 12 vite e nëntë muaj.

Hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit i arrestuan të katërt ndërsa shkarkonin një kontejner transporti që besonin se përmbante drogë me vlerë 11 milionë paund.

Kontejneri kishte mbërritur nga Ekuadori dhe u kontrollua në portin e Londrës Gateway, ku Oficerët e Forcave Kufitare gjetën pakot me kokainë në pjesën e sipërme të kontejnerit.

59-vjeçari Ball nga Altrincham, Cheshire, me anë të një kompanie transporti transferoi kontejnerët në një kompani magazinimi në Herald Way, Coventry.

Këto lëvizje u vëzhguan nga oficerët e mbikëqyrjes së NCA. Ball dhe Shahu u dhanë udhëzime Kavianit dhe Ibrës në oborrin e magazinimit, të cilët përdorën një kamion për të hipur në majë të kontejnerit.

Ata hapën çatinë duke përdorur një levë dhe filluan të shkarkonin pakot që besonin se përmbanin drogë, por ndërsa e bënë këtë, NCA dhe oficerët e policisë hynë për t’i arrestuar. Kaviani dhe Ibra tentuan të arratiseshin por u kapën.

Menaxheri i Operacioneve të NCA, David Phillips tha: Ball dhe Shahu mbikqyrën këtë komplot në emër të grupit të krimit të organizuar pas tij. Ky grup kërkoi ndihmën e Ibrës dhe Kavianit. Fatkeqësisht për ta, oficerët e NCA-së po vëzhgonin çdo lëvizje të tyre përpara se të hynin për t’i arrestuar. Kokaina nxit dhunën dhe shfrytëzimin, duke përfshirë edhe veprimet e bandave, krimin me armë zjarri dhe thikë në MB dhe në mbarë botën.

“Heqja e kësaj ngarkese nga qarkullimi ishte një goditje e konsiderueshme për këtë rrjet kriminal, duke i penguar ata të gjeneronin fitime që do të ishin investuar në krime të tjera. Ne jemi të vendosur të shkatërrojmë grupet kryesore të krimit ndërkombëtar si ky.

Caroline Hughes, prokurorja e specializuar për CPS tha: Autorët në këtë rast ishin të përfshirë në një operacion të sofistikuar kriminal për të importuar një sasi të konsiderueshme kokaine në MB. Furnizimi me drogë është një biznes fitimprurës për ata që janë të përfshirë. Ajo ka pasoja katastrofike për ata që përdorin drogë, familjet e tyre dhe komunitetin: një sasi e madhe krimesh që prekin publikun kryhen nga përdoruesit për të paguar blerjen e saj. Ne do të ndjekim procedurat e konfiskimit kundër Robert Ball për të marrë paratë që ai fitoi nga krimi.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA