Dëshmi rënqethëse të qindra-mijëra afganëve që detyrohen të largohen pas disa dekadash nga Pakistani (fotot)

01/11/2023 19:16

Qindra mijëra afganë pa dokumente të plota po detyrohen të largohen nga Pakistani teksa sot ishte afati i fundit i kthimit të vullnetshëm për rreth 1.7 milionë prej tyre.

Pakistani thotë se vendimi i papritur e pashpjeguar, bëhet për “mirëqënien dhe sigurinë e shtetit” edhe pse vendi ishte shtëpia e refugjatëve prej disa dekadash.

Zyrtarët pakistanezë gjithashtu fajësojnë Afganistanin fqinjë rritjen e sulmeve militante kohët e fundit por shumë kritikë thonë se justifikimi i vendimit është i paarsyeshëm.

Turma të dëshpëruara larguarish me autobusë, automjete e karroca, shiheshin sot në pikat kufitare që zbatonin urdhrin e dhimbshëm të qeverisë, shumë prej të cilëve duke pritur me orë të tëra në diell.

Rrjeti AFP mori dëshmi të afganëve në largim, shumë prej të cilëve të lindur në Pakistan, ose që kanë jetuar aty për disa dekada.

“Ne kemi jetuar në Balochistan. Kemi qenë mirë që kur kemi ardhur para 45 vitesh. Unë kam lindur në Pakistan, por prej disa ditësh na kanë kërkuar të largohemi”, thotë Abdul Haleem.

“Ne kemi vendosure të largohemi të kthehemi në atdhe, për të shmangur mungesë respekti. Kjo është duke ndodhur si në Karaçi dhe qytete të tjera. Është më mirë të kthehemi në atdhe”.

Refugjati Ahmed Jan, tha për rrjetin AFP:

“Kemi jetuar në Karachi për 30 vjet. Tani do të jetë e vështirë të jetojmë këtu. Kemi lënë sendet tona prapa, jemi vetëm me fëmijët e me gratë, nuk kemi gjë me vete, as para. Është shumë e vështirë të presësh në radhë. në diell. I kërkojmë qeverisë të paktën të na lejojë të kthehemi në atdhe me nder”.

Ndërkohë në të tjera pamje shiheshin buldozerët e autoriteteve të Pakistanit që shkatërronin kampet apo shtëpitë e afganëve të larguar, dhe fëmijë që shikonin zhvillimet pa mundur të kuptojnë.

“Jam në shumë dhimbje, kam jetuar për 28 vjet këtu, por sot duket se po i paguajmë të gjitha ato 28 vjet. Me ndihmën e Zotit unë kam fituar bukën time me punë dhe nuk kam qenë barrë për Pakistanin. Shteti më ka dhënë dhe një kartë identiteti, por megjithatë po detyrohem të largohem, sepse ata më konsderojnë afgan,” tha shitësi i perimeve Mati Ullah Khan.

Prej fillimit të muajit rreth 140,000 afganë kanë lënë Pakistanin pas urdhrit të dhënë nga qeveria e përkohshme para zgjedhjeve të janarit.

Autoritetet kanë ngritur dhjetra qendra procesimi për largimin e refugjatëve.

“Zemra ime nuk do të kthehet në Afganistan por nuk kam zgjedhje tjetër. Policia na ka ngacmuar, ata kanë treguar mungesë respekti duke hyrë në shtëpitë tona, prandaj po kthehemi, për të shmangur më tepër turpërim,” thotë  32-vjeçari Irfanullah, teksa pret deportimin.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA