Rritja e inflacionit në shtator në krahasim me muajin paraardhës ka sjellë pasoja për ekonominë shqiptare.
Pas 8 muajsh, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi rritjen e normave të interesit për lekun me 0.25%, për t’i dërguar normat bazë në nivelin 3.25%.
Ekonomia është në një udhëkryq, nga njëra anë duke përjetuar rritje ekonomike, ndërsa nga krahu tjetër me inflacionin që po qëndron mbi objektiv, gjë që dobëson fuqinë blerëse të qytetarëve dhe rritur kostot e jetesës. Sipas guvernatorit inflacioni po mbahet lart nga dinamikat e tregut të brendshëm dhe çmimi i naftës.
“Presionet e brendshme inflacioniste kanë ardhur në rënie, por ato vijojnë të mbeten relativisht të larta dhe të qëndrueshme. Në këto rrethana, ritmi i rënies së inflacionit erdhi në ngadalësim në tremujorin e tretë, ndërsa inflacioni bazë vijon të mbetet mbi objektiv”, tha Sejko.
Edhe pse norma u rrit sërish sipas guvernatorit Sejko, normat e lekut janë më të ulëtat në rajon dhe më ulët se monedha europiane
“Rritja e normave të interesit në Shqipëri është ndër më të ulëtat në rajon dhe kostot e kushtet e financimit mbeten ende stimuluese. Në veçanti, normat e interesit të kredive shfaqen të stabilizuara gjatë tremujorit të tretë, ose me tendenca rënëse në segmente të caktuara”, tha Sejko.
Guvernatori komentoi edhe kursin e ri të euros në nivelet 105 kundrejt lekut. Sipas tij, analizat sugjerojnë se kjo pritet të jetë oferta edhe për muajt e ardhshëm.
Top Channel