28.6 milion shqiptarë dhe të huaj kanë hyrë apo dalë nga Shqipëria deri më tani gjatë këtij viti.

Nga janari deri në 26 tetor, kanë hyrë në vendin tonë 8.86 milion shtetas të huaj.

Sipas shifrave të Policisë së Shtetit, janë përpunuar në hyrje dalje rreth 7,7 milion mjete, 10362 tragete, 3699 jahte shqiptare dhe të huaja. Një rritje të ndjeshme ka pësuar edhe trafiku ajror, me 38.973 avionë në hyrje – dalje, 9937 avionë më shumë se vitin 2022.

Në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, u shpreh se sezoni veror ishte i suksesshëm jo vetëm për numrin e turistëve që zgjodhën vendin tonë për të pushuar, por edhe për sigurinë.

“Si rezultat i masave të marra, është siguruar rendi dhe qetësia për shtetasit dhe pushuesit, ku në disa raste u është dhënë ndihmë nga Stacionet Policore, dhe Njësitë Alpine, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, për 75 turistëve të huaj, të cilët janë shpëtuar dhe gjetur në terrene të vështira malore. Në disa raste ka qenë e nevojshme ndërhyrja e shërbimeve të specializuara, duke organizuar operacione kërkim/shpëtimi, si dhe duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar me shërbimet e tjera të ndihmës së parë”.

Përgjatë këtij sezoni, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj, u shpreh Rrumbullaku.

“Nuk është evidentuar asnjë kallëzim nga shtetas të huaj për krime të rënda ndaj jetës, shëndetit apo pasurisë së tyre. Janë ndërmarrë dhe përmbyllur me sukses një sërë operacionesh policore në kuadër të procedimeve penale, me mbështetjen dhe bashkëpunimin të ngushte me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm:

Në fushën e krimit të organizuar, 51 operacione nga te cilat 38 kombëtare dhe 13 ndërkombëtare.

Në fushën e krimeve kundër jetës dhe shëndetit, 20 operacione policore.

Në fushën e krimeve kundër personit  29 operacione.

Në fushën e krimeve kundër narkotikeve 136 operacione, nga të cilat 97 operacione kombëtare dhe 39 ndërkombëtare.

Në fushën e kapjes së personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar: janë vënë para drejtësisë shqiptare 1399 shtetas, nga te cilët 1211 në kërkim kombëtar dhe 188 në kërkim ndërkombëtar”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA