Ulen shpenzimet e të arsimuarve/ Në 2022, shpenzuan më shumë familjet me kryefamiljarë me 9-vjeçare

31/10/2023 12:06

Gjendja ekonomike e personave të arsimuar po rëndohet. Ata shpenzuan më pak në vitin 2022 krahasuar me 2021-shin.

Të dhënat e Instat tregojnë se familjet që kanë kryefamiljar me shkollë të lartë shpenzuan mesatarisht afro 107 mijë lekë në muaj, rreth 2% më pak se në vitin 2021.

Inflacioni jo i zakontë ku çmimet u rritën, mesatarisht me 6.7% ndikoi negativisht në xhepat e kryefamiljarëve të arsimuar dhe për rrjedhojë në përkeqësim të gjendjes së tyre ekonomike. Rënie të shpenzimeve pati dhe te familjet me kryefamiljar me arsim të mesëm. Një familje e kësaj kategorie shpenzoi afërsisht 85 mijë lekë në muaj, ose 3.2% më pak se vitit 2021.

Ndërkohë rritje të shpenzimeve, sipas anketës së Instat, pati vetëm për familjet pa shkollë dhe ato me arsim 8-9-vjeçar. Këto familje me kryefamiljar pa asnjë nivel arsimi shpenzuan 8.8% më shumë në raport me 2021. Rritja e shpenzimeve ishte më e lartë në familjet me kryefamiljar me arsim 8-9 vjeçar.

Kjo kategori shpenzoi mesatarisht 85.416 lekë në muaj në vitin 2022 ose 13.7 për qind më shumë se në vitin 2021. Kjo pasi modeli ekonomik që ka Shqipëria, gjeneron më shumë mundësi për personat e paarsimuar sesa ata të arsimuar. Tregu i punës ofron më shumë mundësi për profesionet që nuk kërkojnë kualifikim, e nga ana tjetër rritja e pagës minimale krahasuar me atë mesatare është rritur me ritme më të shpejta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA