Një 18-vjeçar është arrestuar në Vlorë ndërsa tre të tjerë janë nën hetim, në kuadër të operacionit “Tempulli”.
I riu me iniciale A. S., banues në fshatin Beshishtë, shiste kanabis, vidhte pajisje elektronike dhe posedonte armë zjarri, armë të ftohta dhe municion luftarak.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike, të cilën adoleshenti e ndante në doza dhe më pas i shiste në qytet, kryesisht në afërsi të shkollave, aty ku u arrestua në flagrancë.
Gjithashtu, në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 1 thikë, si dhe dhjetëra pajisje elektronike, si laptopë dhe celularë, të cilat dyshohet se i ka vjedhur më parë. Këto gjetje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Tre të rinjtë janë nën hetim për moskallëzim krimi, ku njëri prej të cilëve fshihte në banesë, sende të vjedhura nga 18-vjeçari. Bëhet fjalë për një 17-vjeçar, ku gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti sende të tjera të dyshuara të vjedhura nga 18-vjeçari i arrestuar, një sasi fishekësh luftarak si dhe një përforcues grushti. Bashkë me të janë nën hetim edhe K. D., 25 vjeç dhe R. B., 21 vjeç, të cilët kanë qenë në dijeni të veprimtarive kriminale të 18-vjeçarit, por nuk kanë kallëzuar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave në qytet dhe kryente vjedhje në dyqane me pajisje elektronike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel