Deklarata e Dodik se Kosova, Republika Srpska, Serbia e Mali i Zi të jenë një shtet/ Rama mesazh BE-së: Partnerët tanë të thyejnë heshtjen sa më shpejt!

31/10/2023 17:41

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së rrezikshme të kreut të Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili hedh idenë e krijimit të një ‘bote serbe’ me përfshirjen në të të Republikës së Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Republika Sërpska në Bosnje Hercegovinë.

Përmes një mesazhi në “X”, Rama tha se kanë kaluar tre ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nuk ka ende një reagim nga partnerët europian. “Më duhet të rrëfej se jam i befasuar”, shkruan Rama ndërsa shpreson që heshtja të thyhet sa më shpejt.

“Kanë kaluar tre ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Më duhet të rrëfej se jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt!”- shkruan Rama.

Dodik, një nacionalist ekstremist serb, ka kërkuar formimin e një shteti të vetëm serb pjesë e të cilit të jetë edhe Kosova me Malin e Zi.

“Jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, dhe serbët nuk duhet të zihen në befasi. Por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Republika Srpska, Serbia, Kosova dhe nëse një vendim i tillë është demokratik, edhe Mali i Zi”, u shpreh Dodik më herët, ndonëse shtoi se formimi duhet të bëhet me mjete demokratike e masa politike, dhe jo me luftë.

Në kundërpërgjigje, Presidenti i Malit të Zi e dënoi me forcë deklaratën duke shtuar se rruga e Podgoricës është drejt BE-së.

“Është shumë e qartë për të gjithë se kjo është një deklaratë dashakeqe, të cilën unë si president i Malit të Zi e dënoj me forcë. Ne e kemi përvijuar qartë shtetësinë dhe kemi ndjekur pa ngurruar rrugën drejt BE-së. Për hir të qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës, presim që ky vend të na bashkohet në këtë rrugëtim”, u shpreh kreu i shtetit malazez.

Vetëm pak ditë më parë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me nacionalistin serb të Bosnje-Hercegovinës, mes të cilëve janë edhe dy fëmijët e tij, Gorica dhe Igor. Vetë Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja në 5 janar të vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA