Kampioni i karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi, u nderua sot me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”.
Me një ceremoni në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama i dorëzoi Karaqit medaljen, një moment emocionues ky që u shoqërua me lot nga kampioni dhe prindërit e tij, që ishin sot më krenarë se kurrë.
“Ju të gjithë jeni arsyeja pse unë kam fituar. Dua të falënderoj ekipet olimpike dhe presidentit, pasi duke filluar nga dita e ceremonisë së hapjes, për mua ajo ka qenë dita e medaljes. Këtë medalje, po të ishte picë, do e ndaja me të gjithë, por po e marr me vete. Faleminderit ju që në mënyrë vullnetare e ndihmoni sportin. Nuk e kam përjetuar shumë medaljen se të premten e mora, të dielën isha kujdestar në spital. Tani po e shijoj. Faleminderit për përkrahjen”.
Kryeministri u shpreh se Alvin Karaqi, i cili përveç sportit, punon si mjek në Zvicër, është një shembull frymëzimi për këdo.
“Një kampion që ka një veçantë të madhe, është një shërbëtori i palodhur i shëndetit të njerëzve në Zvicër, ku standardet janë më të lartat në botë. Ai përbën një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo, që në rrugën e profesionit të vet është i gatshëm të angazhohet, pavarësisht mundit dhe vështirësive dhe jeton me idenë e ngjitjes në majë dhe të qenit fitimtar.
Për t’u vlerësuar dhe dashurinë pasiononte për atdheun dhe flamurin. Ky është fakt i prekshëm për këdo që bisedon me Alvinin. Për këdo që do të flasë për lidhjen e tij me vendin, popullin, ëndrrat, ambiciet… Alvini, përveçse është djali që çdo prind do donte të kishte dhe çdo dhëndër do e donte dhëndër. Është një djalë shumë i veçantë. Alvini më tregoi se fle rreth katër orë dhe se i mbyll sytë duke menduar si t’i hapë sa më shpejt për të vazhduar ditën tjetër, me punë e mjekut dhe sportistit”.
Alvin Karaqi mori medaljen e artë në Olimpiadën Europiane në Krakovë, në muajin qershor. Ai triumfoi në sportin e karatesë kumite deri në 84 kg.
Top Channel