“Të ndëshkohen dhunuesit”/ Deputetët socialistë kërkojnë penalizimin e kolegëve të “Rithemelimit”

31/10/2023 13:59
Deputeti Vullnet Sinaj

Trembëdhjetë deputetë socialistë hodhën firmat në kërkesën e grupit parlamentar socialist, për ndëshkimin e shtatë deputetëve të ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës, të cilët shkaktuan kaos dhe prodhuan dhunë në seancën plenare të Kuvendit të enjten.  

Kërkohet masë ndëshkimore për  deputetët Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Gështjenja.

Në këtë kërkesë thuhet se deputeti Gazment Bardhi tentoi të godiste kryetaren e kuvendit me shishen e ujit që ishte në folore.

Vullnet Sina, deputeti socialist i cili u godit nga kolegu demokrat Bledion Nallbati në një intervistë për Top Channel e shikon këtë ngjarje si të stimuluar nga faktorë të tjerë.

Vullnet Sinaj: Veprimi kolegut ishte një veprim i jo atij vetë. Ishte e nxitur nga gjendja ku ndodhet Sali Berisha nga veprimet e fundit të SPAK-ut kundra familjes së tij e dhëndrit të vet. I ndodhur tani përballë me shpatulla pas murit është ky person që thoshte se nuk do ta përdorte politikën dhe PD asnjëherë për të mbrojtur interesat personale. Tani me sa duket i ka ardhur fundi dhe është duke përdorur politikën për interesa personale. Mendoj se veprimi deputetit ishte veprim i nxitur nga Sali Berisha. Më vjen keq për deputetin që mund të jetë një vegël e përdorur në politikë dhe kjo është një nga gjërat më të ulëta që mund të ketë një deputet apo politikan i përdorur si vegël në politikë.

Gazetari Muhamed Veliu: Pamë një konfrontim verbal deri diku jashtë sallës së parlamentit. Çfarë i thatë deputetit Nallbati?

Vullnet Sinaj: Unë me deputetin Nallbati nuk kam pasur asnjëherë asnjë përplasje apo keqkuptim. I kërkova se si mori guximin të më afrohej e tentonte të më godiste apo mos të më linte të fliste. Si e mori këtë guxim. Nuk kishte ctë thoshte. Më tha se donte të merrte kartën ndërkohë që ishte e imja personale. Nuk kishte punë të merrte kartën. Kaq. Asgjë më shumë se kaq.

Muhamed Veliu: A keni ndërmend të dorëzoni kallëzim penal ndaj deputetit Nallbati?

Vullnet Sinaj: Unë do të jem njësh me grupin. Siç do të vendosë grupi i PS ai do të jetë edhe vendimi im.

Vetë Bledion Nallbati një ditë më pas me sportivitet ka tentuar ta hedhë pas krahëve veprimin e goditjes të Vullnet Sinajt.

Bledion Nallbati: Unë mendoj se Shqipëria ka halle më të mëdha që meritojnë vëmendjen e medias. Nuk ia vlen që media të merret akoma me një incident që nuk nderon askënd.

Top Channel