Biznesmeni ‘i sanksionuar’ rus, në betejë miliardash me ish-gruan në gjykatën e Londrës (fotot)

31/10/2023 21:27

Një biznesmen i sanksionuar rus me pasuri më shumë se 16.5 miliardë paundë po përballet me ish-gruan e tij në gjykatë për ndarjen e pasurisë, në një nga divorcet më të kushtueshme e me te gjatë në histori, shkruajnë mediat britanike.

Vladimir Potanin kërkon të ndryshojë një vendim të gjykatës së apelit që i jep miliarda ish-gruas së tij Natalia Potanina.

Avokatët e milionerit kërkojnë të ndalojnë të arrijë në gjykatë pretendimin e  zonjës Potanina, duke argumentuar se zgjatja e betejës ligjore vjen si rrjedhojë e bujarisë së gjykatave në Londër.

Gjykata thotë se Potanina kërkon rreth 5 miliardë nga ish-bashkëshorti pas prishjes së martesës së tyre.

Avokatët e saj thonë se ajo kërkon gjysmën e aksioneve të kompanisë minerare Norilsk Nickel, si dhe gjysmën e pronave në Rusi mes të cilave dhe vilën Shtëpia e Vjeshtës.

Avokatët e Potanina thonë se gjysma e vlerës së kompanisë arrin në 7.4 miliardë paundë dhe se cështja nuk mund të gjykohet në Angli.

Zoti Potanin kishte bllokuar fillimisht sjelljen e çështjes për gjykim në Londër në vitin  2019, kur gjykata angleze vendosi se padia ishte vetëm një “turizëm divorci”.

Por në një vendim të mëpasshëm gjykata e Apelit vendosi të pranojë pretendimin e zonjës për pranimin e çështjes.

Potanin – i përshkruar më parë si njeriu i dytë më i pasur në Rusi, pronar i konglomeratit  Interros – është goditur me sanksione financiare pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Milioneri akuzohet se ka akumuluar pasurinë si mbështetës i Vladimir Putin duke blerë aksione bankare si Rosbank e Tinkoff Bankonith që prej nisjes së konfliktit.

Potanin dhe zonja Potanina, të dy rreth 60 vjeç, janë martuar në Rusi në 1983, ku kanë jetuar shumicën e kohës, dhe kanë tre fëmijë të rritur.

Avokatët thanë se në fillim ata nuk ishin shumë të pasur, por pas shembjes së Bashkimit Sovjetik  u krijuan mundësitë financiare me të cilat burri akumuloi pasurinë.

Potanin thotë se çifti janë ndarë që prej vitit 2007, dhe një gjykatë ruse u dha divorcin në vitin 2014. Por zonja Potanina thotë se ata janë ndarë papritur vetëm në vitin 2013.

Avokati britanik i zotit Potanin, Lord Faulks tha se beteja ligjore është nga më të gjatat më botë me 43 seanca duke përfshirë ato në Rusi, Britani, SHBA e Qipro.

Gjyqet në Rusi i sollën zonjës Potanina $84 milionë por avokatët e saj thonë se shpërblimi i divorcit ishte vetëm $41.5 milionë.

Lord Faulks tha më tej se zoti Potanin, i cili është rimartuar dhe jeton në Rusi, mund të përfaqësohej vetëm pasi mori lejen nga autoritetet e thesarit britanik.

Ai shtonte se Potanina nuk ka lidhje të forta me Britaninë apo Uellsin dhe se ligji nuk justifikon një shtesë të shpërblimit të dhënë nga një gjykatë e huaj.

Seancat pritet të përfundojnë nesër dhe vendimi do të jepet në një datë të mëvonshme.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA