Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është ndërprerë nga protestuesit që bënin thirrje për armëpushim në Gaza, gjatë kohës që fliste në Senat.
“Armëpushimi tani!”, u dëgjuan teksa bërtisnin mbështetësit e ndalimit të sulmeve në Rripin e Gazës.
Me pankarta dhe duar të lyera me të kuqe, kjo ishte mënyra që ata kishin zgjedhur të jepnin mesazhin e tyre. Njëkohësisht kërkuan që SHBA-ja të ndalojë dërgimin e fondeve në Izrael.
Shumë njerëz qëndruan në turmë dhe vazhdimisht folën me tone të larta zëri, duke iu drejtuar Blinkenit dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin, të cilët po paraqisnin skemën e Shtëpisë së Bardhë për financimin e sigurisë kombëtare prej 106 miliardë dollarësh.
Menjëherë pas nisjes së situatës, sekretari i Shtetit bëri një pauzë dhe ligjvënësit u detyruan të pezullonin seancën disa herë.
Policia e Kapitolit i shoqëroi demonstruesit nga dhoma kur ata filluan të bërtasin. Deri më tani 12 persona janë arrestuar për protesta të paligjshme brenda ndërtesës së Zyrës së Senatit.
Top Channel