Katër kilogramë kokainë dhe afërsisht 10 kilogramë heroinë, me vlerë mbi 880 mijë euro u sekuestruan nga policia rumune.
Droga u zbulua në Teleorman brenda një automjeti që drejtohej nga një malazez, që u arrestua. Së bashku me të në pranga përfundoi dhe një shqiptar, i dyshuar si koka e grupit, dhe një rumun.
Sipas policisë rumune, shqiptari, emri I të cilit nuk është bërë i ditur, drejtonte grupin e trafikut të lëndëve narkotike. Ai kishte kontraktuar shtetasin malazez për të kryer transportin e drogës nga Shqipëria ndërsa rumuni do e blinte për ta shitur më pas në doza të vogla.
Rrjeti u zbulua pas hetimeve të kryera nga ana e strukturave të inteligjencës. Sipas mediave rumune, shqiptari ishte arrestuar më herët po për trafik droge por në maj të vitit të kaluar ai u vendos në arrest shtëpie. Gjatë kësaj kohe ai iu rikthye sërish trafikut të lëndëve narkotike duke riorganizuar grupin pëe të futur kokainë dhe heroinë në territorin rumun.
Tre të arrestuarit akuzohen për një sërë veprash penale, mes të cilave dhe ajo e trafikut të drograve të forta.
Top Channel