Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sot nis një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sot presidentja e KE-së do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Më pas do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Shkup.
Më vonë gjatë ditës ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku të hënën pritet të takohet me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Në një komunikim për media theksohet se ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Të martën në mëngjes, presidentja e KE-së do të jetë në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Pasdite Von der Leyen do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçi֛ç dhe kryeministren, Ana Brnabiç.
Në ditën e fundit, të mërkurën, ajo do të takohet në Sarajevë me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.
Vizita në Ballkanin Perëndimor vjen pas pjesëmarrjes së Von der Leyen në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë më 16 tetor.
Top Channel