Ekspozita e kolonisë së piktorëve/ Të frymëzuar nga Korça, 50 artistë ekspozojnë punët e tyre

29/10/2023 12:32

Është çelur në Korçë ekspozita e Kolonisë Ndërkombëtare të Artit Figurativ “Ditët e Mios” me punimet e më shumë se 50 piktorëve vendas dhe të huaj. 

Për 4 ditë radhazi Korça u kthye në një studio peizazhet, ndërtesat dhe jeta e së cilës shërbyen si frymëzim për piktorët.

 “Edicioni i 13 ka pasur rritje,  sepse kemi 15 shtete pjesëmarrëse dhe 29 piktorë të ftuar dhe 23 piktorë lokalë.  Kemi 51 piktura të cilat do të bëhen pjesë e fondit të galerisë “Guri Madhi”.  Ka qenë një koloni shumë e mirë, ata kanë njohur Korçën me peizazhin e mrekullueshëm kanë shkëmbyer përvoja dhe eksperienca fantastike dhe shpresoj që Korça të kthehet një qendër për artin pamor në rajon”, tha Blerta Belliu, Drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës.

Piktorët pjesëmarrës tregojnë se ashtu si Mio e gjetën frymëzimin tek pjesë të ndryshme të Korçës.

 “Ishte kënaqësi të merrja pjesë pas 11 vitesh pauzë, dhe pashë ndryshime për mirë. Kishte inspirime të shumta mirëpo në telajo arrita që të paraqes një pamje që kur kalon në pedonale të le goxha përshtypje kjo arkitekturë interesante e shtëpisë rumune. U mundova ta paraqes sa më mirë me ngjyrat e vjeshtës dhe shpresoj ti pëlqeje publikut”, tha Genc Bekteshi, piktor nga Kosova.

“Jam shumë i kënaqur që mora pjesë në këtë organizim që e bën Korça për piktorin Vangjush Mio. Katedralja më pëlqeu dhe inspiroi shumë dhe besoj që vitin tjetër më ftojnë ose jo do të vij si turist patjetër”, tha Burhan Ahmeti, piktor nga Maqedonia e Veriut.

 “Është një koloni e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë në Korçë që është një qytet që e admiroj. Është një qytet ki unë do të mund të jetoja dhe atmosfera është shumë e mirë jo vetëm për artistët por për cilindo. Ka një solidaritet dhe një dashamirësi që ndjehet dhe kjo është diçka që më frymëzon shumë ndaj jam i lumtur që isha pjesë e kolonisë dhe të realizoj një punim timin”, tha Jeff Roland, piktor nga Franca.

Prej 13 vitesh Korça organizon “Ditët e Mios”, një rrugëtim i përvitshëm që  bën bashkë mjeshtrit e telajos nga e gjithë bota të cilët i dhurojnë qytetit punimet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA