“I kthen ujqërit në njerëz, kur përdoret për t’i bërë njerëzit ujq, bën katastrofa”, mendimi i kryeministrit Rama për politikën

28/10/2023 09:35

Gjatë intervistës në episodin e shtatë të podkastit me kryeministrin Rama, sipërmarrësja më e re e cila la Italinë për t’u kthyer në vendlindje, Marjana Koçeku tregon se dega që ajo zgjodhi për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, e frikësoi të ëmën.

Ajo shpesh i thoshte se nuk duhet t’i hyjë asaj pune, por mesa duket Marjana ndoqi ëndrrën e saj.

Marjana: Nëna më thoshte ‘absolutisht që ti nuk do të bëhesh politikane, jo, nuk do t’i hysh ti asaj rruge’. Ça ka moj nënë po të bëhem? Dikush duhet të bëhet. Njerëzit do ta bëjnë edhe politikën edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. ‘S’ka mbetur tek ne kjo të bëhet, le ta bëjë dikush tjetër’’. Kishte frikë, frikë se mënyra se si transmetohet në media, promovimi e gjëra të tjera. Thoshte një gjë tjetër që të mban më afër nesh, më afër rrënjës, më me këmbë në tokë, se aty kam frikë se fluturon, thoshte e nuk kthehesh më’’.

Ndërkohë kryeministri Rama ka dhënë dhe mendimin e tij se si e konsideron ai politikën.

Edi Rama: Nuk ka pasur edhe shumë faj sepse për fat të keq politika është shpikja, sipas meje, më e bukur që ka bërë njeriu sepse pa politikën njeriu nuk do të kishte bërë asgjë në aspektin e bashkimit të forcave, të organizimit shoqërore edhe të adresimit të problemeve që shqetësojnë njeriun, por që njeriu vetëm s’i zgjidh dot kurrë. Natyrisht, politika ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Pa politikën s’do ekzistonte Europa e sotme, s’do ekzistonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, s’do ekzistonin të drejtat e njeriut, s’do ekzistonte barazia si parim mes burrit dhe gruas, s’do ekzistonin spitalet, s’do ekzistonin shkollat, asgjë, por ka bërë edhe dëme shumë të mëdha sepse politika e ka krijuar dhe “shtratin” e diktaturave, të gjenocidit, etj.

Marjana: E thotë edhe Hobbes “Homo, homini lupus’,  njeriu është ujk për njeriun, kështu që …

Edi Rama: Politika kur është ajo për të cilën është krijuar, i kthen ujqërit në njerëz, kur përdoret për t’i bërë njerëzit ujq, bën katastrofa. Megjithatë, ti nuk e dëgjove nënën në fazën e parë dhe the “unë do fluturoj, nuk do kthehem më në këto shkrepa” dhe fluturove, ike.

Top Channel