Njëri prej avokatëve të Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi ka dorëzuar ankimimin për vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi masën “Arrest me burg” disa ditë më parë.
Disa orë më parë mbrojtja tha për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha se nuk ka elementë të korrupsionit të cilat vërtetojnë se Malltezi ka kryer korrupsion në bashkëpunim.
Ajo theksoi se nuk vërtetohet kjo dhe nëse nuk ka korrupsion, atëherë nuk ka dhe pastrim parash, duke nënvizuar se ka prova që provojnë mosimplikimin e Jamarbër Malltezit në këtë çështje.
Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur më 23 tetor, Malltezi i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash deklaroi se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”, tha Malltezi, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo pjesërisht sportive sikurse e përmend akuza.
Në dëshminë e siguruar nga Top Channel, akuzat ndaj tij, Malltezi i cilësoi sulm politik, ndërsa akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka marrë për bazë “fotokopje” gjithçka ka thënë akuzuesi kryesor në këtë çështje, Taulant Balla.
“E gjithë zona nuk ka qenë zonë sportive siç përmend akuza, ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm, i cili pretendonte se kishte të regjistruar shoqëri aksionere KF Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur proces civil dhe gjykata e shfuqizoi KF Partizanin të regjistruar si shoqëri aksionere. SPAK ka marrë fotokopje çfarë ka thënë Taulant Balla. Të gjitha janë akuza politike. Jam i arsimuar, jam prof. doktor. Jetoj në Shqipëri, kam pasur mundësi të largohem. Hetimi po mbahet prej 2020 dhe unë kam qenë në dijeni të këtij procedimi. Nëse doja të largohesha, do largohesha”, u shpreh Malltezi.
Kujtojmë se Malltezi u arrestua të shtunën, me urdhër të SPAK, ndërsa ndodhej në aeroportin e Rinasit. Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani.
Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
GJKKO gjithashtu vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Atij iu bllokuan edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Kujtojmë se veç Malltezit, GJKKO dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Pas një odiseje seancash, ku Berisha ka refuzuar të paraqitet në gjyq, me argumentin se nuk mund të shkelë Kushtetutën, duke iu referuar imunitetit që ka si deputet i Shqipërisë, sipas vendimit të një dite më parë të GJKKO-së, ai duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Ish-kryeministri dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, pasi u njoh me masën e sigurisë, Bektashi deklaroi se i qëndron përballë drejtësisë sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha.
“Unë kam një parim, çfarë do që të ndodhë, dil nga dera kryesore dhe përballu me këdo. Unë e dija që kishte hetim prej 2020. Kam qëndruar këtu të përballem me drejtësinë. S’ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha”, ka deklaruar Bektashi.
Top Channel