Një fabrikë mobilerie ka marrë flakë pak minuta më parë në fshatin Fermë – Çlirim në Fier.
Zjarri ka rënë fillimisht në magazinat e fabrikës dhe më pas është përhapur me shpejtësi në ambientet e tjera. 4 mjete zjarrfikëse të Fierit e Patosit janë duke punuar për neutralizimin e flakëve, por e kanë shumë të vështirë pasi në magazina ndodhen materiale lehtësisht të djegshme.
Ndërkohë rreth 50 punëtorë të kësaj fabrike janë duke u përpjekur të nxjerrin prej ambienteve të papërfshira nga flakët bazën materiale. Në vendngjarje ndodhet dhe policia ndërsa re të zeza tymi kanë mbuluar të gjithë zonën.
“Rreth orës 13:50, në fshatin Fermë Çlirim, në fabrikën e sfungjerit në pronësi të shtetasit H. B., ka rënë zjarr. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”- thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel