Problemi i dështimeve të njëpasnjëshme për të arritur ujdinë mes palëve të përfshira në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për njohës të zhvillimeve politike në të dy vendet, nuk qëndron vetëm tek dy kampet e përfshirë drejtpërdrejtë, por edhe tek vetë qasja e deritanishme në dialog.

Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogic vërejnë për REL se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç pas takimeve të së enjtes, janë të ngjashme me ato të muajit mars, kur dy udhëheqësit u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit, e gjithçka përfundoi në akuza të ndërsjella e zotime të papërmbushura.

“Dështimi i takimit të së enjtes në Bruksel duhet të jetë leksion për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të punojnë në drejtim të riformatimit të dialogut, në mënyrë që ai të jetë maksimalisht efikas. Dialogu është bërë qëllim në vetvete dhe duket se nuk ka të dhëna se po shkojmë drejt një marrëveshjeje finale dhe zvogëlimit të hendekut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Politologu serb, Gogic mendon se të kishin të dërguarit perëndimorë duhet t`i ofrojnë palëve stimujt nxitës konkretë. “Nëse këtu do të kishte një ‘djalë të keq’, ai do të ishte Bashkimi Europian, sepse mendoj se gjërat do të dukeshin ndryshe sikur të ekzistonte perspektiva e anëtarësimit BE. Po të hapeshin dyert e bllokut për Serbinë dhe Kosovën, ne do të arrinim shumë më lehtë një marrëveshje finale e madje edhe njohjen de facto të Kosovës nga Serbia”, shpreh bindjen ai.

Top Channel