Ish-ushtaraku Veiz Muça ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu mbi shpërthimin e depos së armëve në Gërdec.
Ai ka treguar sesi shkeleshin të gjitha rregullat nga “babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorëve për të bërë sa më shumë punë për të arritur normën i shkelnin rregullat në punë”.
Ish-ushtaraku Veiz Muça: Kam mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Zallherr. Kam punuar punë të ndryshme në ndërtim, dhe në ushtri kam qenë tek këmbësoria. Në Gërdec kam punuar nga 12 qershori 2007-15 mars 2008. Në punë më ka marrë Dritan Minxolli, atë e njihja dhe i kam kërkuar punë. Ai më ka shpjeguar çdo gjë aty mendova se bëhej demontimi i fishekëve. Delijorgjin nuk e njoh e as kam parë por ai s’ka pasur kontakt me mua. Fillimisht isha brigadier dhe kontrolloja punën e atyre që merreshin me shkarkimin e predhave. Por ata i hidhnin tutje dhe për këtë u zura me Dritanin. Pasi i thashë qe punëtorët nuk janë të kujdesshëm ai më shkarkoi nga aty dhe më dërgoi diku tjetër, po brigadier. Aty vinin të gjitha llojet e artilerive, për predhat 100 mlm kishte një poligon ( blloku i betonit me vrima) pajisje të tjera s’kishte. Zjarre të vogla ka pasur por janë fikur me fikset e zjarrit. Kishte njerëz të tjerë që merreshin me ato punë. Në Gërdec ishte baruti i dy ditëve pasi nuk kishte vend në kontejner për ta vendosur dhe nuk ishte dërguar as në fabrikë. Ditën e ngjarjes iku Dritani përpara, dola dhe unë porosita rojën të mos fuste njëri brenda. Ngjarja ndodhi kur sapo isha larguar 200 metra më poshtë. Zjarri ka filluar aty ku bëhej demontimi. Baruti transportohej me karroca. Kur prisheshin karrocat i riparonte ai Deliu e kishte shpinë aty afër. Sipas asaj që më kanë treguar punëtorët, zjarri ka filluar tek një karrocë me barut. Karroca i ishte prish djalit të Deliut. Ai e kishte dërguar në shtëpi dhe e kishte ngjitur. Unë atë ditë nuk i kam dhënë leje askujt. Deliu i thoshte drejtorit Dritanit që i saldonte ai karrocat nga dy tre në ditë që dëmtoheshin. Dua të them diçka “babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorëve për të bërë sa më shumë punë për të arritur normën i shkelnin rregullat në punë. Të më thuash sot që të shkosh të bësh atë punë sikur 1 milion në ditë të më japin nuk shkoj më.
Në gjyqin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu kanë dëshmuar Caje Çiku, ish-punëtore në fabrikën e Gërdecit dhe Zabit Cuku ish-ushtarak, mbikëqyrës për ndarjen e predhave, si dhe Mirela Dvorani, bashkëshortja e njërit prej viktimave.
Top Channel