Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, me vendim të Task Forcës për Veprimin Financiar, vendim ky që u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, që në nisje të konferencës me shefen e misionit të Fondit Monentar Ndërkombëtar dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
“Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtar”, tha Mete.
Shefja e misionit të FMN, tha se ekonomia e Shqipërisë ka treguar qëndrueshmëri, falë rimëkëmbjes së fortë të turizmit dhe se autoritet e kanë mbajtur borxhin publik në kontroll, në nivelet e para pandemisë.
Në përfundim të misionit, u rekomandua që të bëhet një menaxhim më i mirë i investimeve publike.
“Praktika më të forta të menaxhimit të investimeve publike do të mundësojnë gjithashtu shpenzime më produktive duke përfshirë ato në arsim dhe në përshtatjen klimatike. Për të mbrojtur këto përmirësime të financave publike të marra me vështirësi, monitorimi dhe zbutja e rreziqeve fiskale, përfshirë ato që lindin nga partneritet publike-private PPP dhe nga ndërmarrjeje shtetërore, është thelbësore”, tha Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së.
Sa i përket perspektivës ekonomike, për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8%. Ndërkohë sot në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratohet projektbuxheti për vitin 2024, që vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë.
Top Channel