Dënohet banda “e rrezikshme” që rrëmbeu dhe torturoi dy shqiptarë në këmbim të parave e bizhuterive

27/10/2023 16:21
Banda e rrëmbyesve

Kreu “i rrezikshëm” i një bande të krimit të organizuar në Britaninë e Madhe, që rrëmbente dhe torturonte viktimat me armë, thika, ujë të valuar etj, në këmbim të parave dhe bizhuterive të shtrenjta është dënuar me 25 vjet burg.

Një nga viktimat e 27-vjeçarit Fortune Lawson, ishte shqiptari Ledio Ibrahimi. Viktima ishte rrahur, lidhur, zhytur në ujë dhe i është mbajtur një armë në kokë pasi u rrëmbye, raporton Indipendent.

Më 11 dhjetor 2020, shqiptari Ledio Ibrahimi, i cili jetonte në Cardiff mori një mesazh nga shoku i tij “Marcus”, një pseudonim që përdorej nga koka e bandës Fortune Lawson, i cili i sugjeroi të takoheshin. Lawson drejtonte një biznes online ushqimor dhe jetonte në zonën Grangetown të Cardiff me të dashurën e tij, Ashley Emery. Ibrahimi e kishte njohur Lawson rreth tre vjet më parë pasi kishte blerë kanabis prej tij.

Dyshja u takuan rreth orës 17:00 atë pasdite dhe pasi blenë pije dhe ujë, Lawson i sugjeroi të shkonin në “Alex’s” për të pirë kanabis. Ky ishte kurth, dhe Lawson në fakt po e çonte viktimën e tij në një pritë ku e priste një bandë e armatosur që kishin udhëtuar nga Londra. Gjykata dëgjoi se Ibrahimi ishte përzgjedhur për rrëmbimin, sepse Lawson besonte se ai mund të zhvaste prej tij një shumë të madhe parash. Ai e çoi viktimën e tij në një banesë në qytet dhe e torturoi duke i zhytur kokën në ujë, rrahur dhe kërcënuar herë me armë, e herë me thika dhe me një “qen sulmues”.

Dhoma e gjumi në banesën në Cardiff ku një nga viktimat u torturua_sd

Banda i kërkonte viktimës 100,000 paund dhe se do ta mbanin peng derisa ai të paguante.

Ibrahimi u detyrua të telefononte një mik për të rregulluar dorëzimin e një shume fillestare prej 50,000 paund, por miku e denoncoi rastin në policinë e Uellsit të Jugut dhe e raportoi si një “situatë për jetë a vdekje”. Pa e ditur rrëmbyesit, negociatorët e pengjeve u vunë në punë për monitorimin e telefonatave për dhënien e këstit të parë prej 50.000 paund.

Viktima u dërgua në një fortesë tjetër në Hemel Hempstead, Hertfordshire, ku kalvari i tmerrshëm i kërcënimeve me armë vazhdoi përpara se ai të shpëtohej përfundimisht nga policia e armatosur, të cilët e gjetën atë të lidhur me kabllo në kyçet e dorës “duke u tundur dhe duke qarë nga tmerri që kishte përjetuar”.

Dëshmitë e ADN-së të marra nga gjaku i gjetur në banesën në Cardiff e shtynë policinë të identifikonte edhe një viktimë tjetër rrëmbimi, edhe ai shqiptar. U identifikua si Halim Vladi, i cili gjithashtu ishte mbajtur kundër vullnetit të tij dhe ishte dhunuar njësoj si bashkatdhetari i tij.

Tetë anëtarë të tjerë të bandës, të gjithë të përfshirë në të paktën një deri në tre herë në rrëmbime dhe komplote u dënuan gjithashtu nga e njëjta gjykatë.

Davood Assadpour, 33 vjeç dhe Micaiah Marley, 30 vjeç, u burgosën me 15 vjet; 27 -vjeçarët Arnold Fumemeya dhe Alexis Mutesa me 13 vjet; Gideon Lawson, 24 vjeç, me 12 vjet burg; Ahmed Omar, 29 vjeç, me 9 vjet; Stephen Isaac, 66 vjeç, me 6 vjet; dhe Denis Delishaj, 34 vjeç, me 8 vjet burg.

Gjykata dëgjoi se Denis Delishaj me origjinë shqiptare, luajti një “rol të rëndësishëm” në shantazhimin e Ledio Ibrahimit, por ndërsa ai nuk ishte pjesë e rrëmbimit apo torturës, ai ishte “në anën tjetër të telefonit” dhe teksa ndodhte dhuna përkthente fjalët e viktimës kundrejt shpërblimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA