Numri i personave që trajtohen me pension pleqërie arriti në 491,504 në 6 mujorin e parë të vitit 2023. Janë gati 23 mijë pensionistë më shumë se në të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Këto ishin ritmet më të larta të rritjes në dy dekadat e fundit. Numri i pensioneve të pleqërisë u zgjerua në një vit me rreth 5%, por nga ana tjetër skema e pensioneve po shfaq qëndrueshmëri. Rritje të ardhurave nga kontributet dhe masa më e ulët e pensioneve të reja kanë përmirësuar deficitin e skemës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në 6-mujorin e vitit deficiti i skemës së pensioneve i cili u subvencionua nga buxheti i shtetit ishte 8 miliardë lekë nga 12 miliardë ne 6-mujorin e parë të vitit 2022 me një rënie gati 30%. Të ardhurat nga sigurimet në 6-mujorin e parë pësuan rritje vjetore me 12%.
Në këtë periudhë po del në pension brezi të lindur në vitet 1960-1970 shumica e të cilëve punuan në vitet e tranzicionit dhe nuk përmbushin kushtet për pension të plotë.
Personat, që dalin në pension pas vitit 2015, për një periudhë afatmesme përfitojnë rritje më të moderuar të masës së pensionit, krahasuar me pensionistët që dolën në pension para këtij viti, për shkak të ndryshimit të parimit, nga pension solidar në pension në bazë të kontributeve.
Tranzicioni demografik po ndryshon me shpejtësi strukturën e popullsisë në favor të moshave të vjetra. Shumë shpejt të moshuarit do të jenë gjenerata e së ardhmes. Mosha e tretë që shumë shpejt do të përbëjë 30 për qind e popullsisë aktualisht jeton në varfëri dhe me mungesë perspektivë për përmirësim të kushteve financiare në të ardhmen.
Top Channel