Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, ndërsa bashkëpunëtorja e tij është shpallur në kërkim, pasi magazinonin mallra të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihnin të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre.
Pas tri javësh hetime, A. L., 34 vjeç, banues në Vlorë, ra në pranga gjatë operacionit policor të koduar “Tranzit”.
Policia sekuestroi veshje dhe çanta të kontrabanduara, me vlerë 25 000 euro.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas 3 javësh hetime për një rast në këtë fushë, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Tranzit”. Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. L., 34 vjeç, banuese në Vlorë, dhe u shpall në kërkim shtetasja E. B., 29 vjeç, banuese në Vlorë. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetases E. B., në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, veshje dhe çanta me vlerë 25 000 euro, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre“, sipas njoftimit të policisë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se bashkë me 29-vjeçaren, e cila është në kërkim, ai magazinonte mallrave të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i shitnin me pakicë në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel