Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi rezulton pjesë e një grupi kriminal prej katër personash, të cilët trafikonin drogë në Belgjikë dhe investonin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Sipas njoftimit të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi “arrest në shtëpi” për Dashin, ndërsa për tre personat e tjerë vëllezërit Besjan e Roland Ramaj dhe biznesmenin Ardian Malasi u vendos masa ”arrest me burg”.
GJKKO vendosi sekuestrim të 12 apartamenteve në Fier, 4 apartamenteve në Tiranë, 3 garazhe në Tiranë, 27 llogari bankare; një shoqëri tregtare dhe 2 automjete.
Mbi katër të akuzuarit rëndojnë veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Vëllezërit Besjan dhe Roland Ramaj rezultojnë të dënuar nga autoritetet belge për trafik droge, ndërsa Adrian Malasi dhe Rajmonda Dashi ranë sot në prangat e policisë.
Me të ardhurat që siguronin me shitjen e lëndëve narkotike, dy vëllezërit investonin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri duke bashkëpunuar me Dashin dhe personin tjetër.
Sipas informacioneve, një javë pas largimit nga Kadastra e Durrësit, ajo u emërua në Kadastrën Kamëz-Vorë, ku aktualisht punonte. Ajo qëndroi në Kadastrën e Durrësit më pak se katër muaj dhe u detyrua të jepte dorëheqjen.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e akteve te dërguara nga autoritetet e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës ka regjistruar procedimin penal nr. 18, të vitit 2023, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasit shqiptarë B. R dhe L. R (vëllezër), të dënuar nga autoritetet Belge të Drejtësisë për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M dhe R.D kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Në kuadër të këtij hetimi është kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues për personat nën hetim.
Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 26.10.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata ndaj shtetasve A.M. dhe R.D.
Gjithashtu gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi këto pasuri, ku është kërkuar sekuestrimi i pasurisë sipas ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme:
12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;
4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;
3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;
Një shoqëri tregëtare;
2 (dy) automjete;
Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera.
Top Channel