Takimet e njëpasnjëshme të mbajtura në Bruksel me në fokus situatën mes Kosovës dhe Serbisë, nuk arritën të ulnin në një tavolinë liderët e dy vendeve, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiç.

Të dy zhvilluan takime me liderët europianë, por të ndarë nga njëri-tjetri, megjithëse shpresat nuk janë shuar ende për një takim kokë më kokë mes tyre, pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian Joseph Borell, deklaroi se nuk ka zgjidhje pa dialog mes Kurtit e Vuçiç-it, dhe se kjo ekziston si mundësi.

“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, tha Borrell.

Pjesë e takimeve ishin edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, teksa kjo e fundit tregoi se kanë kërkuar nga drejtuesit e dy vendeve që të zbatojnë marrëveshjet.

“Po përpiqemi të bëjmë hapa përpara dhe u kemi kërkuar të dy liderëve të ndërmarrin veprime në lidhje me zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të hartuara së bashku më parë, do të shohim se si do të shkojë”, u shpreh Meloni.

Aktualisht “beteja” për rikthim në dialog të Kosovës dhe Serbisë po vijohet nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, po vijon takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti, i cili më herët gjatë ditës ra dakord që plani i emisarëve perëndimorë, i prezantuar disa ditë më parë, të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me ndërkombëtarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA