U caktua avokat kryesisht për Berishën/ Simoni: Kam mbrojtur edhe funksionarë të tjerë të lartë, shumica i kam fituar

25/10/2023 22:32

Artan Simoni, që u caktua nga gjykata si avokat kryesisht falas për ish-kryeministrin Sali Berisha, dha sonte një intervistë ekskluzive për gazetaren Anila Hoxha, live për “Top Story”.

Duke folur për karrierën e tij, Simoni tha se ka bërë mbrojtjen e disa funksionarëve të lartë.

“Ka pasur edhe raste të tjera ku kam mbrojtur funksionarë të lartë, për fat shumicën prej tyre kam fituar. Kam bërë mbrojtjen e Fatmir Mediut, më ka caktuar gjykata kryesisht. Kam mbrojtur edhe kryetarin e Dhomën së Avokatisë, Maksim Haxhia, rast që e kam fituar”.

I pyetur nëse është njohur me akuzën dhe për çfarë dyshohet Sali Berisha, Simoni tha se nuk mund të tregojë detaje.

“Duke qenë se ky proces ka një formë ku nuk mund të bëhen të dhëna publike, nuk mund të flas”.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme njoftoi se ka zëvendësuar Artan Simonin me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht falas dhe i la kohë të njihet me aktet. Por, pse e mban gjykata sekret emrin e avokatit të dytë?

“Kur bëhet fjalë për një proces penal, shumë pjesë nuk mund të thuhen. Nuk mendoj se ka një arsye penale, madje nuk mendoj se ka një mbajtje sekret nga ana e gjykatës. Unë nuk e di se kush është personi”, u përgjigj Simoni për “Top Story”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA