Mbretëresha Rania e Jordanisë dënon ‘heshtjen’ e Perëndimit për bombardimet izraelite në Gaza (fotot)

25/10/2023 18:14

Mbretëresha e Jordanisë Rania ka akuzuar sot liderët perëndimorë për “standarde haptazi të dyfishta” për qëndrimin e heshtur dhe mungesën e kritikave për vrasjet e civilëve palestinezë nga bombardimet izraelite në Gaza.

Rania, e cila ka lindur nga prindër palestinezë në Kuvajt, dënonte vendet perëndimore për kundërshtimin e tyre ndaj armëpushimit të plotë, “me një qetësi” që sipas saj të jepte të kuptojë se janë bashkëpunëtorë në sulmet izraelite ndaj Gazës, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

“Njerëzit në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshi dhe Jordaninë, ne këtu jemi të shokuar e të zhgënjyer nga reagimet për këtë katastrofë që po shpaloset. Në dy javët e fundit kemi parë standardet e dyfishta më të dukshme në botë,” tha ajo në një intervistë me gazetaren e CNN, Christiane Amanpour.

“Kur ndodhi 7 tetori, bota u vendos menjëherë dhe pa kompromise në krahun e Izraelit, i cili ka të drejtë të mbrohet, dhe e dënoi sulmin”, tha ajo duke iu referuar ditës së sulmeve të Hamas brenda në Izrael, për të cilat zyrtarët atje thonë se 1300 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng.

“Por teksa shikojmë atë që po ndodh në dy javët e fundit, ne shikojmë heshtje në të gjithë botën.”

Izraeli është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve me bombardime të pandalura në qytetin dhe institucionet e Gazës së qeverisur nga Hamas, ku zyrtarët vendas thonë se më shumë se 6000 njerëz janë vrarë, shumica civilë dhe shumë prej tyre fëmijë.

Ushtria ka rrethuar totalisht qytetin e Gazës me mbi 2.4 milionë banorë, duke i lënë në kushte katastrofike humanitare, ka thënë OKB.

“A mos po na thonë se është e gabuar të vritet një familje e tërë me automatik, por nuk ka problem nëse e vret me bomba”, pyeste mbretëresha Rania.

Ajo shtonte se refuzimi Perëndimit “dhe heshtja e tyre shurdhuese, për shumë në rajonin tonë, i bën ata bashkëpunëtorë me anë të mbështetjes ndaj Izraelit”.

Izraeli dhe aleatët e tij kanë refuzuar thirrjet për armëpushim teksa Shtëpia e Bardhë tha se kjo mund t’i shërbejë Hamas.

Kreu i OKB António Guterres, foli sot për “vuajtje të pamasë në Gaza” duke shtuar se aty kishte “shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar”, dhe se sulmi fillestar i Hamas nuk ndodhi në një kohë paqeje.

Rania gjithashtu tha për CNN se është e gabuar të thuash se konflikti nisi më 7 tetor.

“Kjo është një histori 75-vjecare, një histori vdekjesh dhe zhvendosjeje të popullit të Palestinës, një histori pushtimi dhe regjimi aparteidi”.

E pyetur për termin e përdorur, Rania citonte dhe grupe ndërkombëtare bamirësie që kanë akuzuar më parë Izraelin për aparteid në tokat palestineze.

Ndaj një akuze të tillë në 2022 nga grupi i të drejtave Amnesty International, zyrtarët izraelitë e quajtën bamirësinë “organizatë radikale” duke thënë se Izraeli ishte “një demokraci e përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar”. /TheGuardian/

FOTO GALERI
2/3
Izraeli është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve me bombardime të pandalura në qytetin dhe institucionet e Gazës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA