Avokati Artan Simoni, i cili u caktua sot për një periudhë shumë të shkurtër si avokati mbrojtës i Sali Berishës, ka sqaruar statusin e tij që bëri bujë që i referohej situatës aktuale si “Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?”.
I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha në një intervistë live për Top Story, avokati tha se opinioni nuk ka të bëjë me persona të caktuar dhe u interpretua gabim.
“Statusi prej dy ditësh, thirrja është bërë ditën e sotme. Ky status ka të bëjë me gjendje personalen time, që un vij nga studimet histori, bisha është koncept fjalë e përditshme dhe nuk mund të personalizohet. Gjykata që të mos krijohej një situatë dyshimesh, donte të shkëputej plotësisht nga kjo gjendje. Nuk ka të bëjë me persona të caktuar por në këto kushte është një shprehje “Personat që shfajësohen pa ngritur askush gishtin, vetë akuzohen”. Ata që e interpretuan ka një gabim sa i përket këtij krahasimi. Nuk ka asnjë lidhje.”-tha avokati.
Avokati Simoni tha se nuk është i shqetësuar nga interpretimi që i është bërë statusit të tij.
“Sigurisht se njeriu ndjen një tension më të lartë, por në thelb unë nuk them se jam shqetësuar. Kjo është e drejta e shprehjes. Interpretimet të bëhen në formën e drejtë të mundshme dhe jo në interesa të ngushta. Nga dalja ime në dyert e gjykatës e kam pezulluar statusin, por kam vënë re se gjithçka ishte në rregull e kam riaktivizuar. Shprehi personale.”- tha avokati.
Megjithëse u tregua diskret, ai tregoi se është njohur me një pjesë të mirë të dosjes.
“Një pjesë shumë të mirë e kam studiuar dhe mund tju them që për dy arsye që janë si ajo e fazës ku gjendet hetimi dhe arsyet që gjykata dhe ligji e përcakton, e kam të pamundur ti bëj publike, edhe për shkakun se nuk jam më avokat i çështjes”– përfundoi avokati.
Top Channel