Ukraina ka nisur evakuimin e detyruar të rreth 1.000 fëmijëve nga zonat afër vijës së frontit ndërsa Rusia intensifikon sulmet.
Prindërve u është thënë se duhet t’i zhvendosin familjet e tyre nga 31 vendbanime në rajonet Kherson dhe Donetsk.
Kushdo nën moshën 18-vjeç duhet të shoqërohet nga një prind ose kujdestar.
Zyrtarët ukrainas kanë urdhëruar evakuime të tilla edhe më parë kur luftimet janë intensifikuar.
Ata thonë se shumë fëmijë jetojnë afër vendeve ku po ndodhin granatime të vazhdueshme dhe këmbëngulin se tani është shumë e rrezikshme që ata të qëndrojnë në shtëpi.
Të shoqëruar nga oficerët e policisë ata tani po shkojnë derë më derë për të bindur prindërit të largohen me fëmijët e tyre.
Kievi zyrtar u ka premtuar familjeve kalim të sigurt në pjesë më të sigurta të vendit ku atyre do t’u jepet strehim falas dhe vende në shkolla dhe çerdhe.
Oleksandr Tolokonnikov, i cili është zëdhënësi i administratës rajonale të Khersonit, shpjegoi se disa familje ende hezitonin të largoheshin nga shtëpitë e tyre, pavarësisht nga rreziku dhe shqetësimi i shtuar për të jetuar nën sulmin e vazhdueshëm të armikut.
Ukraina thotë se trupat ruse kanë nisur sulme të mëdha në disa zona përgjatë frontit lindor ditët e fundit dhe kanë intensifikuar granatimet në jug.
Dyshohet se Moska planifikon sulme në infrastrukturën kritike me afrimin e dimrit.
Guvernatori i rajonit të Kharkiv tha për televizionin kombëtar se edhe ai po konsideronte një urdhër evakuimi të detyruar në disa fshatra afër vijës së frontit.
Top Channel