“Super mjegulla” përfshin në aksident 158 makina në New Orleans, të paktën 7 të vdekur

24/10/2023 16:32

Të paktën shtatë persona kanë vdekur pasi një “super mjegull” e dendur shkaktoi një përplasje të madhe me 158 makina pranë New Orleans.

Mjegulla e dendur dhe tymi nga zjarret e shumta kënetore u përzien për të reduktuar dukshmërinë për shoferët që lëviznin.

Njëzet e pesë persona u plagosën në përplasje, tha policia, e cila paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.

Disa automjete morën flakë dhe u braktisën, duke lënë një gjurmë rrënojash të djegura dhe metali të prishur. Zjarri shpërtheu pasi një nga automjetet e përfshira në aksident ishte një kamion cisternë që mbante një “lëng të rrezikshëm”.

Një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në ujë, por shoferi u shpëtua në mënyrë të sigurt, tha policia për WWL-TV.

Zyrtarët thanë se autostrada do të qëndrojë e mbyllur të paktën deri në mesditën e së martës.

Gjithashtu u raportua se rreth 100 njerëz ishin të bllokuar dhe autobusët e shkollave po përdoreshin për t’i transportuar ata në destinacionet e tyre.

Clarencia Patterson Reed, 46 vjeç, e cila po udhëtonte me makinë për në Hammond, tha për mediat lokale se ishte në gjendje të shmangte goditjen e makinës përpara saj, por automjetet pas saj filluan të përplaseshin me makinën e saj.

“Ishte ‘Boom. Boom’. Gjithçka që vazhdohej të dëgjohej ishte përplasja për të paktën 30 minuta”, tha ajo.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) në New Orleans e përshkroi fenomenin e motit si një “super mjegull”, duke paralajmëruar se kushte të ngjashme të rrezikshme të motit mund të shfaqen më vonë këtë javë.

NWS tha të martën në mëngjes se erërat e forta gjatë natës kishin ndihmuar në shpërndarjen e mjegullës në disa zona, por paralajmëroi se kushtet e rrezikshme të drejtimit vazhdojnë në shumë zona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA