Berisha: Para meje Fatos Nano e kishte zgjatur me dy vjet afatin e ligjit, unë e bëra me një vit. Do thoni që të dy e bëmë për interes personal?

24/10/2023 14:19

Ish-kryeministri Sali Berisha në kundërpërgjigje të akuzës për korrupsion pasiv, ka deklaruar se nëse akuza është për shtytjen e afatit të përdorimit të bonove të privatimizimit për përfitimin e 64 pronarëve të tokave, do ta bënte sërish.

“Nëse unë akuzohem për korrupsion se kam vendosur shtytjen e afatit të përdorimit të bonove të privatimizimit, nga e cila kanë përfituar 64 pronarë, grup të cilit qeveria dhe shteti shqiptar u detyrohej me ligj minimumi 1 milion e 500 mijë euro për tre vite me radhë qira,sepse nuk ua lironte mafia tokën, këtë do ta bëja 1000 herë. Kjo është e gjitha. Të akuzohem se i kam favorizuar ndërkohë që me ligj unë ka disfavorizuar pronarët dhe kam favorizuar sportin”- tha Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, është e turpshme dhe e pacipë që mercenarë të ligjit bëjnë pretenca ndaj reformave të thella. Në një mesazh drejtuar demokratëve, Berisha tha “ne jemi në luftë”. Sipas tij, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe opozita do qëndrojë me të gjitha mundësitë e saj.

“E turpshme, e pacipë, mercenarë të ligjit bëjnë pretenca ndaj reformave të thella. Nuk ndodh kurrë kjo. Legjislativi është legjislativ dhe nuk mundet kurrë një gjykatës të shpifë dhe të trillojë në atë mënyrë. U dëmtua sporti, thotë. Po si u dëmtua sporti, kur në ligj thuhet se terrenet sportive do privatizohen me kusht që pronari të mos i ndryshojë destinacionin spotiv? Si dëmtohet sporti? Ne besuam se ajo ishte rruga për të mbështetur sportin. Dhe pronari nuk e përfitonte nëse nuk garantonte se kjo do përdorej. Pra, nuk është problemi këtu i individit, problemi është aktakuzë e mirëfilltë politike ndaj reformave. Por PD nuk heq dorë nga asgjë nga programi i saj. Ndjehet i nderuar për çdo vendim, akt dhe ligj që është miratuar në periudhën e qeverisjes së PD dhe aleatëve. Të gjesh gjykatës që i lejojnë vetes të shpifë dhe manipulojë për ligjet e miratuara në parlament, kjo ndodh vetëm në këtë regjim. Kjo nuk na dekurajon ne, ne mbetemi parti reformash. U them demokratëve se ne jemi në luftë. Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe opozita do qëndrojë me të gjitha mundësitë e saj”- tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët se cili do të ishte ai institucion vendimin e të cilit do ta pranonte Berisha, dhe pse e sheh masën ndaj tij nga gjykata si një masë ndaj opozitës dhe jo si një masë ndaj individit Sali Berisha, ai u përgjigj:

“Në aktakuzë bëhet gjykimi i reformave  të qeverisë të ligjeve të parlamentit në mënyrën më armiqësore. Po të jap një shembull, Sali Berisha thotë në interes të pronarëve zgjati me një vit afatin e ligjit për përdorimin e bonove të thasarit. Para meje Fatos Nano e kishte zgjatur me dy vjet afatin e atij ligji. Fatos Nano dhe Sali Berisha që e zgjatën e bënë në interes të reformave apo të vetes së tyre?“, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA