Taksimi i profesioneve të lira/ Kontabilistët: Ligji nuk përcakton se çdo të thotë i vetëpunësuar

23/10/2023 19:48

Profesionistët e lirë kanë ende disa pikëpyetje mbi ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat.

Në këtë ligj ata do trajtohen si të punësuar dhe do taksohen me normë 15% deri në 14 milionë lekë dhe me  23% mbi këtë shumë. Kështu 17 mijë profesionistë që kanë hapur biznese me NIPT do veçohen nga bizneset e tjera të vogla, që mbeten me zero përqind taksa deri në 2029-ën.

Që nga miratimi në mars, ligji ende mbetet i paplotësuar në aktet nënligjore që duhet t’i nxjerrë këshilli i ministrave. Ekspertët përshkruajnë një nga konfuzimet që mbetet pa u sqaruar.

“Ligji nuk përcakton se çfarë do të thotë individi i vetëpunësuar. Duam të dimë me këtë term a përfshihen vetëm profesionistët e lirë që janë të vetëpunësuar dhe nuk kanë asnjë të punësuar tjetër apo çfarë? Kjo është një pyetje që ende jemi pa përgjigje nga këshilli i ministrave”, tha Avni Tobli, ekspert kontabël.

Sipas ekspertëve administrata tatimore, e cila edhe tani është e mbingarkuar, do ta ketë të pamundur të kontrollojë në mënyrë rigoroze zbatimin e ligjit, pasi në të shkruhet që secili prej tyre do duhet të zgjedhë t’i deklarojë shpenzimet paraprakisht apo t’i njihen në bazë të faturave.

“Praktikisht do të thotë që administrata tatimore duhet të kontaktojë individualisht çdo profesionist të lirë, për t’i dhënë kohë që të zgjedhin platformën. Kjo është praktikisht e pamundur. Ky ligj nuk nxit asgjë tjetër përveç evazionit dhe krijon amulli të shumta”, shtoi Tobli.

Ndërkohë ligji përcakton që profesionistët e lirë do trajtohen si të punësuar nëse 80 -90% e volumit të punës së tyre kryhet me një apo dy subjekte. Ekspertët shprehen se nevojiten më shumë kritere për këtë përcaktim

“Do duhen minimalisht edhe dy kritere që profesionistët e lirë që kanë hapur NIPT të trajtohen si të punësuar, të paktën kështu përcaktohet në çdo sistem fiskal nëpër botë. Dy kritere të tjera mund të ishin, nëse i vetëpunësuari do të kishte një orar fiks 8 – 4 si dhe të përdorte ambientet e subjektit për të kryer punën e tij. Ligji ndërkohë përcakton vetëm një kriter dhe kjo është e padrejtë”, sqaron eksperti.

Shoqatat e profesionistëve të lirë po përgatiten që ligjin ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese pasi sipas tyre diskriminon bizneset, krijon pabarazi në taksim dhe mohon të drejtat themelore të njeriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA