Kalimi Rafah shpresa e vetme për Gazën, vijojnë të hyjnë ndihmat humanitare për palestinezët

23/10/2023 20:10

Kufiri Rafah që lidh Egjiptin me Gazën shihet si pika e vetme e shpresës aktualisht për palestinezët e prekur nga sulmet që vijojnë prej më shumë se 2 javësh.

Ndihmat po vijojnë të hyjnë, teksa pritet të mbërrijnë në pikat e destinuara që ekipet e humanitare kanë pikasur, megjithëse në pikëpyetje vihet mundësia për të pasur një përmbushje të gjerë të ndihmave.

Tashmë në territoret e Rripit të Gazës po hyjnë grupi i tretë i kamionëve të ngarkuar me ujë, ushqime, veshje dhe ilaçe. Disa prej tyre kanë mbërritur në zona të ndryshme, duke ndihmuar palestinezët e shkatërruar nga gjendja e sulmeve dhe duke rikthyer shpresën tek ata.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borell, vijon të këmbëngulë për krijimin e një pause humanitare në Gaza, për të lejuar kalim sa më të sigurt të ndihmave.

“Udhëheqësit do të jenë ata që do të vendosin pozicionin e Unionit. Por unë mendoj se ideja e një pauze humanitare do të lehtësonte hyrjen e ndihmave dhe do të lejonte popullsinë e zhvendosur të jetë më e sigurt”, u shpreh Borell.

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se kërkohet shumë më tepër tonelata me ndihma, për të frenuar një krizë të thelluar humanitare brenda territorit të Gazës.

Bombardimet izraelite dhe bllokada e plotë në enklavën palestineze ka vënë më shumë se 2 milionë civilë në rrezik të dehidrimit të rëndë dhe urisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA