Pas shume vitesh, nën sulmin dhe dëmtimin masiv të grerezës aziatike, që pushtoi jo vetëm Shqipërinë por edhe të gjithë Europën, gështenjat e Reçit, kanë nisur të ripërtërihen.

5 vite më parë, ministria dhe eksportuesit pasi siguruan mbrojtësin biologjik, nisën luftimin e insektit shkatërrues dhe sot jo vetëm që kanë shpëtuar me qindra hektarë gështenjë por është rritur edhe prodhimi.

“Unë personalisht përpara 5 vitesh e kisha humbur komplet shpresën për gështenjën. Kulmi arriti përpara 5 vitesh. Kam arritur deri në 420 kg gështenjë në total ku përpara kam arritur deri në 30 kuintal. Problem kemi zjarrin që është armiku kryesor i mizës mbrojtëse që kemi hedhur”, u shpreh kryeplaku i fshatit Reç, Fatmir Bruçaj.

“Në këtë parcelën time që kam këtu, deri në 20% të saj janë tharë dhe i kemi prerë, dhe të tjerat janë dëmtuar. Në këto vite them se diçka e mirë është bërë këtu”, tha banori Fadil Jakupaj.

Sokol Zhuja, mbledh të gjithë gështenjën shqiptare dhe e eksporton jashtë vendit. Ai tregon se sa e vështirë është sigurimi i mbrojtësit biologjik.

“Prodhimi ra deri në 20 ton dhe sot presim të marrim rreth 300 ton. Është e gjithë Europa e infektuar dhe është problem shumë shumë i madh gjetja e insektit mbrojtës. Sivjet, insekti iu mor Portugalisë dhe u soll këtu në Reç”, tha eksportuesi.

Por a është fituar ende beteja me grerëzën shkatërruese?

Pjerin Spathari, drejtor i Agjensisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Shkodër thotë: “Jo ka filluar në Rec. Këtu ka patur sukses dhe do të mbarojë kur të bëhet ndërhyrja edhe në masivet e tjera të Dukagjinit dhe Tropojës.”

Problemi më i madh për mbrojtësin e gështenjave janë zjarret që ndizen nga banorët pasi ato favorizojnë përhapjen e sëmundjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA