Nuk gabon Struga dhe Shkupi, Shkëndija e Tetovës “ngec” në shtëpi

22/10/2023 17:19

Struga e mbyll me sukses ndeshjen e javës së 11 në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut teksa skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro triumfoi me shifrat 0-3 në transfertë ndaj Makedonija GP.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për miqtë duke qenë se zhbllokuan shifrat që në minutën e tretë me anë të Vangjel Zguros. Në pjesën e parë pati vend edhe për një tjetër realizim, teksa ai që dyfishoi rezultatin për Strugën ishte Mentor Mazrekaj. Në fraksionin e dytë, goli i Besart Ibrahimit vulosi suksesin e Strugës në transfertë teksa tashmë ekipi i Duros ngjitet në kuotën e 21 pikëve në vend të tretë, tre më pak se Shkëndija kryesuese.

Nga ana tjetër, Shkëndija e Tetovës “ngeci” në shtëpi përballë Brera Strumica me kuqezinjtë që nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1. Në fakt, sfida mund të mbyllej më keq për tetovarët pasi ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh në minutën e 75. Por, katër minuta më pas Shkëndija barazoi dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Shkëndija pas kësaj ndeshje mban vendin e parë me 24 pikë, ndërsa Brera Strumica mbetet në vendin e pestë me 15 pikë.

Sakaq, Shkupi fitoi në shtëpi me shifrat 1-0 ndaj Bregalnica Stip. Goli vendimtar për shkupjanët u realizua në minutën e pestë nga Ilieski, por që mbeti në fuqi për të gjithë pjesën e mbetur të takimit. Pas kësaj fitoreje, Shkupi shkon në kuotën e 22 pikëve në vend të dytë.

Në ndeshjet e tjera, Gostivari barazoi 1-1 me Voska Sport, Rabotnicki humbi 0-1 ndaj Vardarit ndërsa Sileksi fitoi 1-0 ndaj Tikves./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA