Bujqësisë t’i jepet përparësi! Ekspertët për rekomandimet e Bankës Botërore: Duhen politika sigurimi për fermerët

22/10/2023 20:13

Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, bujqësia në Shqipëri ka kontributin më të lartë në ekonomi.

Pavarësisht kësaj Banka Botërore thotë se fondet buxhetore ne këtë drejtim janë me te ulëtat. Institucioni ndërkombëtar kërkon që të ndryshohet drejtimi. Të luftohet fragmentarizimi, të investohet në teknologji, në dije dhe në specializimin e mëtejshëm të institucioneve. Raporti thotë se një investim në këto shtylla mund të sjellë rritjen e produktivitetit me 15% dhe të rrisë vlerën e shtuar të bujqësisë në ekonomi.

Gjithashtu më shumë incentiva duhen për prodhimin e produkteve bujqësore pasi, së bashku me Bosnjën, jemi prapa rajonit. Ekspertët pohojnë se bujqësia ka nevojë për reforma strukturore të thella.

“Bujqësia është konsideruar historikisht si një ndër sektorët më të rëndësishëm të historisë shqiptare, por njëkohësisht një ndër sektorët me produktivitetin më të ulët. Mund të zgjidhet me krijimin e kooperativave, pra bashkimin e këtyre territoreve të copëzuara, dhe përdorimin e teknologjisë”, tha eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

“Vreshtaria sivjet është në prag të falimentit. Breshërat e shumta që kanë rënë kanë dëmtuar prodhimin”, shtoi Muço.

Një tjetër aspekt ku Shqipëria harxhon për bujqësinë është subvencioni për shkak të katastrofave natyrore. Vendi ynë është i rrezikuar edhe nga ndryshimet klimatike. Ekspertët mendojnë se politikat e sigurimit për fermerët janë të domosdoshme

66% e eksporteve totale drejt BE-së përbëhen nga produktet bujqësore vrojton Banka Botërore, më shumë se çdo vend i rajonit. Pëlqyeshmëria e produkteve tona në tregjet europiane tregon që sektori ka nevojë t’i jepet prioritet në mënyrë që të sjellë edhe më shumë të ardhura në ekonomi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA