Në seancën e saj në shtator, Banka Qendrore Evropiane (ECB) rriti sërish normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje.

Një luftë midis Izraelit dhe Hamasit palestinez mund të pengojë më tej aktivitetin ekonomik në Eurozonë dhe të nxisë inflacionin, paralajmëroi për Financial Times, guvernatori grek Yannis Stournaras. Konflikti mund të shkaktojë ndërprerje në tregjet e energjisë dhe të shkaktojë një valë të re refugjatësh, tha guvernatori grek dhe një anëtar i këshillit drejtues të Bankës Qendrore Evropiane (ECB).

“Eurozona mbetet një importues i madh neto i energjisë dhe konflikti ka të ngjarë të ketë një efekt stagflacionistë, nëse bëhet një problem,” tha Stournaras.

Kriza në Lindjen e Mesme ka ndryshuar ekuilibrin e fuqisë dhe përkrahësit e shtrëngimit të mëtejshëm të politikës monetare janë tani në pakicë, citon gazeta londineze fjalët e Stournaras.

Në seancën e shtatorit, ECB rriti sërish normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje, por nisur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, sinjalizoi se cikli i rritjes së kostove të huamarrjes mund të ketë arritur kulmin.

“Bazuar në vlerësimin aktual, këshilli drejtues beson se normat bazë të interesit të ECB-së kanë arritur në një nivel që në një periudhë më të gjatë do të kontribuojë ndjeshëm në kthimin në kohë të inflacionit në nivelin e synuar”, theksojnë ata.

Në shtator, ECB rriti paksa vlerësimin e saj për inflacionin vitin e ardhshëm, në 3.2 për qind, për shkak të rritjes së pritshme të çmimeve të energjisë, dhe uli ndjeshëm vlerësimin e saj për rritjen ekonomike, në vetëm 1.0 për qind, duke treguar për uljen e kërkesës së brendshme dhe një përkeqësim të tregtisë ndërkombëtare.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit ka rritur fuqishëm çmimet e naftës ditët e fundit dhe një fuçi tregtohej në Londër sot me 2.54 dollarë më shumë se mbyllja e mbrëmshme, pasi tregtarët kanë frikë nga një përshkallëzim dhe përhapje e armiqësive në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Termi stagflacion u përdor për herë të parë në vitin 1965 nga politikani konservator britanik Iain Macleod. Stagflacioni mund të ketë pasoja të padëshirueshme në disa fronte. Për njerëzit e zakonshëm apo jetën e përditshme, ngadalësimi i ekonomisë do të thotë më pak punë, ndërsa një rritje e çmimeve gërryen fuqinë blerëse të familjeve të detyruara të paguajnë më shumë për faturat, furnizimet me karburant, ushqimin, shërbime të ndryshme, etj., duke lënë më pak hapësirë për konsum normal në periudha normale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA