Piloti i linjave Air France bie për vdekje gjatë ekskursionit malor në Kaliforni (fotot)

21/10/2023 17:06

Një pilot francez që u zhduk gjatë një ekskursioni në malet gjigante Whitney në Kaliforni, është gjetur i vdekur pas rënies nga një shkëmb 300 metra i lartë, njoftonin dje zyrtarët e parkut natyror.

Viktima u identifikua si Tom Gerbier nga Fontenay-sous-Bois, i cili ishte pilot i linjave Air France, thuhet në deklaratën e zyrtarëve amerikanë.

Nuk njihen rrethanat e rënies tragjike të 38 vjeçarit, sipas zyrtarëve të rajonit Inyo që kishin shpërndarë postera të “personit të humbur” pas zhdukjes së tij.

Maja më e lartë e malit Whitney arrin në rreth 5000 metra në lindje të parkut të pemëve gjigante sekuoia në Kaliforni, dhe është një pikë e njohur ekskursionesh panoramike.

Gerbier kishte nisur ngjitjen e tij të martën pranë qytezës Lone Pine, vetëm siç besohet, por u shpall i humbur një ditë më vonë kur nuk u paraqit për të marrë fluturimin e kthimit.

Zyrtarët e zonës kishin nisur kërkimet për të të enjten dhe zbuluan të dhëna se dikush mund të kishte rënë nga një pikë e shtegut të ngjitjes. Më pas helikopteri pikasi trupin e palevizur të një personi me veshje që përputheshin me ato të Gerbier.

Linjat Air France thanë në një deklaratë se Gerbier ishte në një ndalesë dy ditore pune në Los Angeles, sipas të përditshmes San Francisco Chronicle.

“Kompania ofron ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të dashurit,” shkruante linja ajrore ku piloti punonte.

FOTO GALERI
2/3
Linjat Air France thanë në një deklaratë se Gerbier ishte në një ndalesë dy ditore pune në Los Angeles

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA