Ndeshjet e Izraelit kundër Zvicrës dhe Kosovës janë shtyrë dhe kampionati vendas është pezulluar, teksa vendi ka hyrë në konflikt me forcate Hamasit, pasi këto të fundit sulmuan befasisht me raketa Izraelin në 7 tetor.
Në këtë kuadër, skuadra izraelite Maccabi Haifa njoftoi se skuadra U19 e klubit do të tërhiqet nga UEFA Youth League, kompeticioni më prestigjioz evropian për të rinjtë. Izraelitët kanë njoftuar tashmë UEFA-n dhe kanë shpjeguar vendimin e tyre, përmes presidentit të klubit Itzik Ovadia.
“Ky vendim nuk është i lehtë sepse sporti është shumë i rëndësishëm, por situata e ekipit, ku përfshihen edhe ushtarë që i shërbejnë vendit në këtë moment të vështirë dhe jo pak staf që janë bashkuar me trupat ushtarake, nuk na lejon të largohemi nga vendi dhe të marrim pjesë në gara. Jemi shumë krenarë për arritjen e ekipit të të rinjve, kampionit të vendit, që përfaqëson klubin dhe shtetin e Izraelit, por për momentin ka gjëra shumë më të rëndësishme se futbolli. Shpresojmë të kthehemi sezonin e ardhshëm”, tha Ovadia për faqen zyrtare të klubit.
Top Channel