Mentalitet fitues! Shqipëria e ruan, pavarësisht se kush zbret në fushë, për kënaqësinë e të gjithë zemrave kuqezi! Është mesazhi kryesor i miqësores me Bullgarinë në Air Albania, ku triumfi 2-0 shërbeu për t’i provuar Sylvinhos edhe vlerën e alternativave, me Shqipërinë që pavarësisht ndryshimeve të shumta ruan fytyrën e suksesit.
Sylvinho ndryshoi gjashtë nga 11 lojtarë nga ata që zbritën në fushë ndaj Çekisë, më shumë se gjysmën e skuadrës duke marrë nga të gjithë sinjale pozitive, duke nisur nga autorët e golave, Qazim Laçi i zbarkuar nga mesfusha pranë vijës fatale për të shënuar golin që zhbllokoi takimin, e deri te Ernest Muçi, xhevahiri i shumëpritur që nuk zhgënjeu me perlën që vulosi rezultatin.
Me kualifikimin në Europian që pret vetëm një pikë në dy takimet e radhës për t’u formalizuar, gara e lojtarëve për të fituar një vend në avionin që do të niset për në Gjermani ka nisur, që nga kjo ndeshje ku edhe lojtarët që nuk ishin preferuar si titullarë në ndeshjet zyrtare të kualifikueseve demonstruan se meritojnë besimin.
Strakosha në formë me ndërhyrje vendimtare aty ku duhet, padyshim edhe Mihaj në një rol delikat si ai i qendëmbrojtësit nuk zhgënjen, e deri te Balliu që provon vlerat në krah. Në mesfushë përveç Laçit mjaft mirë edhe Gjasula ndërsa në sulm ka vend edhe për një debutim absolut, atë të Marvin Çunit që la përshtypje të mirë në minutat që ju vunë në dispozicion.
Natyrshëm në një miqësore me shumë ndryshime, nuk mund të ruhet i njëjti nivel në organizimin e lojës, që nuk mund të ishte në kufijtë e perfeksionit si në takimet e fundit ndaj Polonisë apo Çekisë, por edhe këtu nota është pozitive me Shqipërinë që diktoi ritmin me 60% të zotërimit të topit duke dominuar Bullgarinë jo vetëm me rezultat por edhe në komponentët e tjerë, ashtu si në shpirtin luftarak që mbeti i njëjti e padyshim dhe fryma e grupit, aq e rëndësishme për kombëtaren kuqezi.
Sylvinho ka marrë mesazhin e duhur në projektin e nisur tanimë për Europianin, me Shqipërinë që ruan atmosferën pozitive me sytë drejt ndeshjeve të nëntorit. E fundit por absolutisht jo më pak e rëndësishmja, përkundrazi, një notë të shkëlqyer merr tifozeria në Air Albania, thuajse 17 mijë të pranishëm në një miqësore për një atmosferë festive që vetëm kombëtarja kuqezi di të ndërtojë, e ndoshta edhe me një batutë në fund mes tifozësh: Kështu si po luajnë po na mësojnë keq!/ Super Sport
Top Channel