Vijojnë operacionet në Lezhë/ Kanabis në fuçi, arrestohen dhjetëra persona që kultivonin dhe shisnin drogë

17/10/2023 17:02

12 persona kanë rënë në prangat e policisë deri më tani në Lezhë gjatë megaoperacionit “Tempulli”.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Alfred Elezi gjatë një konference për mediat dha detaje për vijimin e megaoperacionit policor të koduar “Tempulli” dhe për operacionin policor antikanabis të koduar “Prioriteti”.

Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Prioriteti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit, në rrethin e Mirditës.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: Mirash Pima, 29 vjeç, Kristian Pima, 29 vjeç dhe Florian Pima, 33 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Kaçinar, Mirditë;  Eduart Çoku, 41 vjeç dhe Fatmir Ukaj (Tirtja), 24 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve Nikolin Ndoca, 31 vjeç, banues në fshatin Bulsharë, Mirditë dhe Kristian Mena, 21 vjeç, banues në Fan, Mirditë.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ndue Pima, 58 vjeç, banues në Kaçinar, Mirditë dhe Elion Tirtja, 36 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë.

“Strukturat e specializuara të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi disajavor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së
Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, të mbështetura edhe nga shërbimet e Forcës së Posaçme ‘’Shqiponja’’ dhe të Komisariatit të Policisë Mirditë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘’Prioriteti‘’. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit disajavor, është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetasve, në fshatrat Bulsharë dhe Kaçinar, të rrethit Mirditë, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 158 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë e gatshme për shitje dhe një pjesë në proces tharjeje. Gjithashtu, u asgjësuan 280 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në fshatin Bulsharë, Mirditë. Në vijim të veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe 14 000 euro të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 15 celularë. Nga hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të përfshirjes së këtyre shtetasve në këtë veprimtari kriminale, dyshohet se ata janë autorë edhe të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Planet, Mirditë, rast i evidentuar dhe i goditur nga strukturat e Policisë, më datë 12 tetor 2023.Operacioni i sotëm për goditjen e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit nuk eshtë operacioni i vetëm, sepse Policia e Lezhës, që nga fillimi i vitit deri tani, ka qenë e angazhuar intesivisht në luftën kundër kanabisit. Vlen të përmendim megaoperacionin policor të koduar ‘’Imazhi’’, i zhvilluar në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe asgjësimin e bimëve narkotike që në fazat fillestare të kultivimit. Gjatë 39 fazave të këtij megaoperacioni janë asgjësuar në total 60 113 bimë narkotike dhe 8 608 fidanë të kultivuar në kubikë”, sipas Policisë.

Njëkohësisht, në Laç, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, janë goditur 2 raste të përshtatjes së lokaleve, për përdorim dhe shitje të drogave, ku janë sekuestruar kokainë dhe kanabis.

Në qytetin e Laçit, Alfons Marku, 34 vjeç, kishte përshtatur lokalin e tij, për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash kanabisi.

Ndërsa ditën e djeshme, në Gjormë, u arrestua shtetasi Fatjon Gjoka, 29 vjeç, i cili kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash të lëndës narkotike kokainë.

Prej fillimit të megaoperacionit “Tempulli” deri sot janë goditur 12 raste dhe janë arrestuar 12 shtetas që tentonin të shisnin drogë, në afërsi të shkollave dhe në lokale.

“Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe komisariatet në varësi të saj, me stafet e reja drejtuese, menaxhuese dhe zbatuese, kanë intensifikuar punën, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, mbrojtjen e pronës, si dhe ndjekjen në dinamikë, me përparësi, të shqetësimeve dhe të adresimeve të qytetarëve. Njëkohësisht, strukturat policore, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike, psikologët dhe punonjësit socialë, janë të angazhuar maksimalisht për të zbatuar me rigorozitet masat e sigurisë të përcaktuara në Paketën e re për Sigurinë në shkolla. Për të përmbushur sa më mirë këtë mision, në radhë të parë duhen ndihma dhe kontributi i qytetarëve, si aleati jonë më kryesor, por nuk është më pak i rëndësishëm kontributi juaj të nderuar gazetarë, jo vetëm për denoncimin e paligjshmërive, por edhe për adresimin e sjelljeve apo të abuzimeve me detyrën, të ndonjë punonjësi policie, me qëllim që bashkërisht të krijojmë një ambient sa më të sigurt dhe një trupë policore sa më të denjë, për t’i shërbyer qytetarëve, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin“, theksoi Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA