Vendet e Evropës shtojnë kufizimet, ndalimet për demonstratat pro-Palestinës (fotot)

17/10/2023 18:34

Demonstratat pro-Palestinës po përballen me kufizime e ndalime në shumicën e vendeve të Evropës duke ngritur shqetësime për shkelje të lirisë së shprehjes e grumbullimit.

Ndërsa përkundrazi nuk ka pasur kufizime për demonstrimet në mbështetje të Izraelit, por zyrtarë qeveritarë kanë marrë pjesë në to, duke shprehur qartazi mbështetjen e tyre, shkruan e përditshmja turke Anadolu.

Ministrja e brendshme britanike Suella Braverman habiti shumë dy ditë më parë kur tha se valëvitja e një flamuri palestinez ose brohoritja e disa sloganeve të caktuara mund të jetë e jashtëligjshme pasi ato “lavdërojnë terrorizmin”.

Ndërkohë policia në Paris ka shpërndarë me forcë dy demonstrime kundër dhunës në Palestinë, duke cituar shqetësime për rendin publik.

Në Berlin u ndalua një miting solidariteti me Palestinën duke ngritur pikëpyetje për të drejtën e grumbullimeve paqësore në mbështetje të Palestinës.

Ndersa e përditshmja e njohur britanike ‘The Guardian’ ka njoftuar se nuk do të rinovojë kontratën e ilustruesit të saj të më shumë se 4 dekadave Steve Bell, prej një karikature të kryeministrit Benjamin Netanyahu, që evokonte shakanë anti-semite të personazhit hebre të Shekspirit në dramën “Tregtari i Venecias.”

Vetë Bell tha se karikatura, në të cilën shihet Netanyahu duke u përgatitur të operojë barkun e vet me një hartë të Gazës, u refuzua nga redaktorët si një referencë anti-semite e personazhit shekspirian Shajlok, që kërkonte “një copë mish trupi” nga borxhliu që nuk paguante dot, në dramën Tregtari i Venecias.

Personazhi i Shajlok njihet si një nga referencat klasike letrare anti-semite dhe është përdorur ndër shekuj për të nxitur përshkrimin e hebrenjve si “fajdexhinj të fiksuar pas parasë”.

Zhvillimi vjen mes luftës së përgjakshme të Izraelit kundër grupit militant Hamas. Izraeli ka bombarduar enklavën bregdetare palestineze për 10 ditë pa ndalim duke vrarë të paktën 2400 njerëz, pas një sulmi të raportuar të Hamas brenda Izraelit ku u vranë sipas raportimeve 1000 izraelitë.

Sot një kirurg me bazë në Britani që po punon në një spital në Gaza tha se familja e tij ishte vizituar disa here nga agjentë anti-terrori, pasi kishte folur në televizion për përkeqësimin e kushteve  humanitare në Gaza, ku Izraeli ka ndërprerë aksesin ndaj ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike për më shumë se 2 milionë banorët e vendit.

Në shumë vende janë rritur incidentet anti-semite si pasojë e veprimeve brutale në konfliktin e rëndë të Lindjes së Mesme.

Liderët komunitarë kanë bërë thirrje për qetësi duke kërkuar përmbajtje ndaj sulmeve mbi hebrej ose muslimanë, si reagim ndaj ngjarjeve.

FOTO GALERI
3/3
Personazhi shekspirian Shajlok kërkonte “një copë mish trupi” nga borxhliu që nuk paguante dot, në dramën Tregtari i Venecias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA