Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim fituesin e çmimit Nobel për Fizikë në vitin 2010, Kostya Novoselov, me të cilin diskutoi mundësinë për krjimin e bursave për doktoratura për shkencëtarët e rinj shqiptarë pranë Institutit të Singaporit.
“Jam i lumtur që Tirana është kthyer në një ‘hub’ edhe për nanoteknologjinë dhe aktivitete ku diskutohet për shkencën. Faleminderit që keni ardhur nga Singapori në Tiranë dhe shpresoj shumë që, ajo bisedë që filluam për të pasur 4-5 bursa për doktoraturë për shkencëtarët e rinj shqiptarë pranë Institutit në Singapor, të realizohet sa më shpejt, dhe të kemi edhe ne disa shkencëtarë të kalibrit të lartë, por që nuk ju mungon as një mentor i mirë, siç jeni ju, as institute i duhur ku mund të kryejnë eksperimentet e tyre”, tha Veliaj.
Nobelisti Kostya Novoselov falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen në Tiranë dhe tha se mezi pret që ai dhe të rinjtë shqiptarë të vizitojnë laboratorin e tij në Singapor.
“Kam kënaqësinë t’ju ftoj të shikoni laboratorin tonë në Singapor dhe shpresoj që të vendosim bashkëpunimin tonë me të rinjtë shqiptarë për nanoteknologjinë. Jam shumë i lumtur t’i japim mundësinë studentëve më të talentuar shqiptarë për t’i mirëpritur në laboratorin tim dhe shpresoj që ata do të kthehen sërish këtu dhe t’i sjellin dijet e tyre në Shqipëri”, tha nobelisti.
Top Channel