Nxënës e prindër të shkollës “Sali Halili” në Rrajcë të Prrenjasit kanë protestuar për ndërtimin e shkollës së re.
E dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 shkolla e Rrajcës u cilësua e pabanueshme e për pasojë nxënësit u akomoduan në disa godina private për të zhvilluar procesin mësimor. Por ndërsa kanë kaluar 3 vite dhe ndërtimi i shkollës, ku mësojnë rreth 450 nxënës, mësimi nuk ka nisur. Kështu prindër e fëmijë kanë nisur protestat.
“Fëmijët kanë mbetur pa shkollë, janë nëpër bodrume nëpër vende që më përpara janë përdorur për kasaphana, janë në kushte totalisht të papërshtatshme. Shkolla e Rrajcës ka 450 nxënës, dhe shqetësimi ynë është se ne nuk kemi ambiente fare. Ministria e Arsimit i ka premtuar këtij populli që do të ndërtohet një shkollë e re.
Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje, në këtë mënyrë nxënësit dhe bordi kanë vendosur një javë bojkot, në të kundërt do të vazhdojmë bojkotin. Në kërkojmë ambient shkollor për fshatin e Rrajcës që i ka nxënësit, sesi bëhet nuk ka rëndësi. Në duam me patjetër shkollën, duam arsimim në këtë vend edhe pse emigracioni ka bërë të vetën dhe shpopullimi është në të gjitha pjesët e Shqipërisë, Rrajca prap i ka nxënësit”, tha një banor.
“Në vitin 2022 inxhinierët e vlerësuan shkollën të pabanueshme dhe që atëherë na u ofruan nga bashkia disa ambiente private. Ato ambiente gjithashtu janë të papërshtatshme, po i pranuam për pak muaj. Në fillim të këtij viti bashkia na informoi se ka përfunduar projektin, dhe ja ka dorëzuar Ministrisë. Kjo e fundit na thotë se përgjegjësia është e bashkisë”, tha një tjetër banor.
Nxënësit do të bojkotojnë mësimin gjatë kësaj jave ndërsa nëse nuk marrin asnjë lajm për rikontruksionin e shkollës, do të përshkallëzojnë protestat e tyre.
“Kam në dorë përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, në të cilën deklarohet se është e drejta e bashkisë për të investuar në këtë shkollë. Megjithatë ne kemi vendosur që deri në fund të javës të presim përgjigje. Më pas nëse nuk kemi përgjigje ne do të vazhdojmë protestën do fillojmë të bllokojmë rrugën nacionale”, tha banori tjetër.
“Fshati ynë ka 430 nxënës dhe nuk ka shkollë. Janë ndërtuar shkolla ku ka pak nxënës ndërsa për shkollën tonë nuk bëhet fjalë. Të gjithë prindërit kanë firmosur dhe janë dakord të vijojë bojkoti derisa të marrim një përgjigje. Mund të qëndrojnë fëmijët edhe një vit në ambientet ku janë, por vetëm nëse nis rikonstruksioni i shkollës”, u shpreh një banor.
Për këtë problematikë banorët i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit e cila i ka kaluar përgjegjësinë Bashkisë Prrenjas. Kjo e fundit mbështet shqetësimin e banorëve, ndërsa shprehet se fondit për ndërtimin e një shkolle është i papërballueshëm nga buxheti i bashkisë.
“Shqetësimi i banorëve të Rrajcës është i drejtë. Prej kohësh kemi marrë masat dhe kemi hartuar menjëherë projektin për shkollën “Sali Halili”. Detyra jonë funksionale është të mirëmbajmë, por jo të ndërtojmë shkolla të reja pasi buxheti i bashkisë Prrenjas nuk e përballon një shumë të tillë, 3 mln euro për ndërtimin e një shkolle.
Ne i kemi dorëzuar projektin Ministrisë dhe jemi bërë pjesë e thirrjes së vitit 2022-2023. Nga Ministria e Arsimit na është premtuar që do të investohet. Ambientet e sajuara ku zhvillojnë mësimin fëmijët nuk janë shumë komode, por në Rrajcë ska ambiente të tjera të cilat bashkia mund t’i marrë me qira. Kemi bërë takime me Ministrinë e Arsimit e cila na ka garantuar se investimi do të kryhet gjatë vitit 2024″, tha kyretari i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba.
Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit u bën thirrje prindërve të mos i privojnë fëmijët nga procesi mësimor, pasi, sipas tij, projekti është dorëzuar dhe nga Ministria ka marrë garancinë për ndërtimin e shkollës në vitin 2024″,
Top Channel