Modelja e njohur Gigi Hadid së bashku me familjen e saj kanë marrë kërcënime serioze pas deklaratës së saj në rrjetet sociale, ku shprehet: Nuk ka asgjë hebreje në lidhje me trajtimin e qeverisë izraelite ndaj palestinezëve.
Dënimi i qeverisë izraelite nuk është antisemitik dhe mbështetja e palestinezëve nuk është mbështetje për Hamasin.
Menjëherë pas postimit të modeles, ka reaguar llogaria zyrtare e qeverisë së Izraelit, ku kundërshtoi postimin e Gigit, duke e ripostuar atë me një mesazh.
“Nuk ka asgjë të guximshme në masakrën e Hamasit ndaj izraelitëve. Të dënosh Hamasin për atë që është (ISIS) nuk është kundër Palestinës dhe mbështetja e izraelitëve në të drejtën e tyre kundër terroristëve barbarë, është gjëja e duhur për t’u bërë”, shkruhet në postim.
Më pas modelja është përmendur në një koment, nga llogaria zyrtare e qeverisë izraelite, ku pyetet: Gigi Hadid a keni fjetur javën e kaluar? Apo jeni e mirë për të mbyllur një sy ndaj foshnjave hebreje që masakrohen në shtëpitë e tyre? Heshtja juaj ka qenë shumë e qartë se ku qëndroni. Ne ju shohim.
Më tej qeveria izraelite postoi gjithashtu një foto të një dhomë gjumi të përgjakur që i përkiste një fëmije, duke shtuar: Nëse ju nuk e dënonin këtë akt, fjalët e juaja nuk vlejnë asgjë.
Pas përgjigjes së qeverisë izraelite ndaj Gigi Hadid, për postimet që ajo bëri në favor të popullit palestinez, një raport i TMZ tregon për kërcënime serioze të marra si nga modelja, ashtu edhe nga e gjithë familja e tij.
Në artikull thuhet se çdo anëtar i familjes Hadid, përfshirë Gigi, Bella, Anwar dhe prindërit e tyre, Mohamed dhe Yolanda, kanë marrë mesazhe që i kanë lënë ata të frikësohen për jetën e tyre.
“Ata po marrin kërcënime me vdekje për mbështetjen e tyre për Palestinën dhe situata është përkeqësuar aq shumë sa u është dashur të ndërmarrin veprime”, tha një burim shumë i afërt me familjen. Mesazhet janë dërguar përmes e-mailit apo rrjeteve sociale. Megjithatë, më shqetësuesja për ta është se kanë marrë kërcënime edhe në telefonat e tyre personalë.
Të njëjtat informacione thanë se numrat e tyre personalë u zbuluan disi në internet javën e fundit dhe shumë të panjohur i dërguan mesazhe të tmerrshme. Në disa prej tyre, ata përshkruajnë se si do ta ekzekutonin Hadidin.
Pas zhvillimeve të mësipërme, Mohamed Hadid po mendon t’i drejtohet FBI-së për ndihmë.
Top Channel