Pajisjet u dhuruan nga ministri i jashtëm britanik, James Cleverly, i cili vlerësoi po ashtu punën e autoriteteve shqiptare kundër emigracionit të paligjshëm.
Bashkëpunimi mes dy qeverive, tha ai, ka bërë që numri i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në Britaninë e Madhe të reduktohet ndjeshëm.
“Fakti që marrëdhënia është zhvilluar nga një marrëdhënie e cila adreson emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve në Britaninë e Madhe në një marrëdhënie e cila adreson problematikën e kalimit të emigrantëve nga vendet e treta nëpërmjet Shqipërisë nuk është e zakonshme. Si mund të duket suksesi? Fakti që ti mundesh të kesh rezultate domethënëse brënda 1 viti dhe më pas të thuash kush është stadi tjetër i suksesit”, tha ministri Cleverly.
Këtë model bashkëpunimi, ministri i brendshëm Taulant Balla, tha se Shqipëria mund ta shtrijë edhe me vendet e tjera.
“Me rëndësi është fakti që ne jemi gati ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në fusha të tjera si lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar apo edhe çështje të tjera. Po siç e nënvizuat edhe ju është 90% më pak qëkur Kryeministri Rama dhe Kryeministri juaj Sunak u takuan herën e kaluar në dhjetor në vendin tuaj kur ne firmosëm marrëveshjen”, theksoi Balla.
Deklaratat dy ministrat i bënë nga Rinasi ku vizituan Komisariatin e Ri, që u ndërtua me fondet e qeverisë britanike.
Top Channel