Pamje të lagjeve të rrafshuara nga bombardimet në Gaza teksa dëshpërimi shtohet për miliona të bllokuar (fotot)

16/10/2023 19:01

Pamje ajrore nga Gaza tregonin sot shkatërrimin apokaliptik të qytetit nga bombardimet izraelite, teksa ushtria tha se nuk do të ketë armëpushim të përkohshëm për lejimin e ndihmës apo largimin e të huajve nga qyteti.

Ndërkohë dëshpërimi vijon për miliona njerëz të bllokuar në zonë pa ujë e ushqim, shkruan rrjeti francez AFP.

Agjencitë e ndihmave bënin thirrje sot për lejimin e furnizimeve humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se të mbijetuarve i ka mbetur pak kohë.

Izraeli thotë se po bombardon Gaza si pjesë e luftës së tij ndaj grupit militant Hamas, por masa e shkatërrimit në zonën e mbipopulluar civile është quajtur e pajustifikuar nga agjencitë ndërkombëtare.

Në kundërpërgjigje të sulmit më të rëndë në historinë 75-vjeçare të Izraelit, që përkon dhe me historinë e konfliktit, ushtria ka rrafshuar lagje të tëra me një seri sulmesh të pandaluara ajrore, në të cilat janë vrarë të paktën 2,750 palestinezë, shumica civilë të pafajshëm.

Izraeli ka kërkuar gjithashtu që 1.1 milionë banorë të Gazes, thuajse gjysma e popullatës palestineze prej 2.3 milionë, të largohen nga zona, në pritje të ofensivës tokësore.

Gjatë kësaj kohe ushtria ka ndaluar ujin, ushqimin dhe karburantet deri në fundin e konfliktit.

Mijëra palestinezë janë grumbulluar në pikën kufitare të Rafah me Egjiptin, e vetmja të Rripin e Gazës që nuk kontrollohet nga Izraeli.

Sot sulmet ajrore goditën dhe pranë pikës kufitare, tha një gazetar i AFP, ndërsa kreu humanitar i OKB, Martin Griffiths do të vijë në rajonin e katastrofës për përpjekje diplomatike të krizës.

Një agjenci e ndihmës së refugjatëve tha se 1 milionë palestinezë janë zhvendosur në një javë konflikt dhe numri vijon të rritet.

Në një morg në qytetin jugor të Rafah, Fatma Hamouda tha për AFP se kishte humbur dy dajat e saj në një sulm që shkatërroi shtëpinë e tyre familjare.

“Shtëpia e tyre supozohej të ishte e sigurtë, jashtë objektivit,” thotë ajo duke qarë. “Nuk ka rrymë, ujë apo internet. Por dhe sikur të vdesim do të qëndrojmë këtu, nuk do të largohemi”, shton ajo.

Izraeli tha dje se ka hapur furnizimin me ujë në qytetet jugore për të inkurajuar banorët e Gazës të largohen nga veriu.

FOTO GALERI
6/9
Një seri sulmesh të pandaluara ajrore ka vrarë të paktën 2,750 palestinezë, shumica civilë të pafajshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA